



Prolongimi i fillimit të bisedimeve me BE-në dhe qasja joserioze e vendeve anëtare të unionit ndaj perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor do të ketë pasoja, tha ministri i jashtëm Bujar Osmani në forumin e Sigurisë në Varshavë.
Kërcënim tjetër, sipas Osmanit, është edhe shfrytëzimi i rajonit për gjeopolitika të tjera nga vendet e treta.
Osmani nga Varshava ishte i qartë se është koha e fundit për të ngritur zërin dhe Brukseli seriozisht të dëgjojë problemet e RMV-së drejt aspiratave eurointegruese.
“Politika e zgjerimit ose sido që ta quajmë politikën e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, të cilën edhe shtetet anëtare e kanë për problem ta emërtojnë derisa negociojnë në përpilimin e deklaratës së samitit të Bërdos, nuk do të jetë kredibil pa progresin për RMV-në. Në Maqedoninë e Veriut situata është e frustruar dhe dalë nga dalë po bëhet e pambrojtur. Ne duhet ta ndezim alarmin e kuq dhe në mënyrë të hapur ti themi Brukselit se kemi problem. Shtetet anëtare duhet ta kuptojnë situatën seriozisht sepse do të ketë pasoja negative direkte rajonale në aspektin integrues.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani ritheksoi në forum se RMV nuk ka alternativë tjetër dhe se do të vazhdojë me reformat, por tha se të gjitha përpjekjet duan shpërblim, duke shmangur bllokada tjera nga shtetet anëtare të BE-së.
