Osmani: Në këtë kohë na duhet lidership i fuqishëm

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova po kalon nëpër kohë të vështira, andaj sipas saj, kjo kohë “kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore”.

Marketing

Osmani, në një adresim për publikun, pas marrjes së kësaj detyre, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte, tha se Kosova gjendet në një kohë të vështirë dhe bëri thirrje për unitet.

“Angazhimi ynë për shtet ligjor na ka përballur me sfida të rënda, por ne nuk kemi hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe për kultivim të vlerave demokratike. Pavarësisht sfidave ne kemi qëndruar fortë në besimin tonë, të cilin ju thërras ta dëshmojmë edhe në këto momente të vështira”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, qytetarët duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj Republikës.

“Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida, duke i tejkaluar ato dinjitetshëm”, tha Osmani.

Osmani tha se vlerëson të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës së Dhomave të Specizuara, duke thënë se këto veprime dëshmojnë “besim të palëkundur në drejtësi”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas, nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtrisë sonë çlirimtare”, tha Osmani.

Si ushtruese e detyrës së presidentit, Osmani u zotua se do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruajë kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit.

Osmani tha se rajoni nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, nëse viktimat dhe agresorët barazohen.

“Ne, shqiptarët e Kosovës, kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidial. Kurse, Serbia ishte shteti që kreu këto krime”, tha Osmani.

Dhomat e Specializuara më 5 nëntor kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte edhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Më 4 nëntor, aktakuzat për krime lufte iu konfirmuan edhe ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Marketing