Osmani në Londër realizoi takime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Bajramov dhe të Moldavisë, Popesku

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që po mbahet në Londër, sot zhvilloi takime bilaterale me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov dhe me Niku Popesku, zv. kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Moldavisë.

Marketing

Në fokus të bisedës mes Osmanit dhe Bajramovit ishte situata në Kaukazin e Jugut. Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, në prill të këtij viti ishte për vizitë në Azerbajxhan. Në takimin e sotëm, të dy ministrat diskutuan se si të ruhet stabiliteti dhe të avancohet siguria në rajon me ndihmën e mekanizmave të OSBE-së.

“Shpreha mbështetje të fuqishme për përpjekjet e vazhdueshme për ndërmjetësim dhe për vendosjen e stabilitetit në terren. Shpresoj se përvoja dhe përparësitë e OSBE-së mund të shfrytëzohen në mënyrë më aktive për sigurinë e rajonit”, tha Osmani në takim.

Osmani dhe Bajramov diskutuan edhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Azerbajxhanit, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe energjetikës.

Në takimin me Zëvendëskryeministrin dhe Mnistrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Moldavisë, Popesku, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të Moldavisë, si dhe aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Integrimi evropian është mjeti më i mirë për parandalimin e konflikteve dhe ndikimit keqdashës nga pala e tretë”, theksoi Osmani në takimin me Popeskun.
Krahas kësaj, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mbështetjen e OSBE-së për Moldavinë.

“Moldavia mbetet në krye të agjendës së OSBE-së, prandaj vizitën time të dytë e kam realizuar në Moldavi në cilësinë e kryesuesit, duke theksuar mbështetjen e fuqishme në përpjekjet për zgjidhjen e situatës në Transnistria”, tha Osmani.

Në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, Osmani e vizitoi Moldavinë në shkurt të këtij viti