Osmani në Mynih, në event special me Annalena Baerbock kushtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Ministres Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, mori pjesë në një aktivitet të veçantë në margjinat e Konferencës së Mynihut për Siguri, kushtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marketing

Ngjarja ishte një mundësi e shkëlqyer për Ministren Baerbock që fillimisht të takohej me homologët e saj nga rajoni, pas marrjes së detyrës së re në Qeverinë e re gjermane të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.

Bashkëbiseduesit konstatuan se Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin e përgjithshëm të Evropës kurse integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian është një interes i ndërsjellë gjeostrategjik nga aspekti politik, i sigurisë dhe ai ekonomik.

Osmani, në fjalën e tij iu referua klimës së re politike ndërmjet Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila tregon për qasjen serioze dhe nivelin e përkushtimit të të dyja vendeve për të arritur përparim në bashkëpunimin dypalësh. Poashtu foli edhe për sfidat aktuale në procesin e anëtarësimit në BE, për sfidat rajonale dhe globale të sigurisë.

“Perspektivat evropiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor rendi dhe stabiliteti i tyre i brendshëm politik nga njëra anë dhe tejkalimi i mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal nga ana tjetër janë procese të lidhura ngushtë dhe të ndërvarura. Këto dy procese e plotësojnë dhe përforcojnë njëra-tjetrën. Progresi në rrugën e integrimit jep një shtysë të fortë për reformat e brendshme shumë të nevojshme dhe një shtysë të fortë për të kapërcyer mosmarrëveshjet bilaterale, por jo më pak të rëndësishme janë edhe mundësit për forcimin e bashkëpunimit rajonal,” tha Osmani.

Në kuadër të Konferencës së Mynihut për Siguri, Osmani nesër do të takohet me homologun e tij spanjoll, Jose Manuel Albares dhe do të ketë takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovi, si pjesë delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Kovacevski. Poashtu, do të ketë edhe paraqitjen e tij në ngjarjen “Zbrazëtia në zemër të Europës? Kthimi drejt Ballkanit Perëndimor”.

Marketing