Ballina Aktuale Osmani në OKB: Viktimat e agresionit të pakuptimtë në Ukrainë meritojnë drejtësi

Osmani në OKB: Viktimat e agresionit të pakuptimtë në Ukrainë meritojnë drejtësi

“Ose do të sigurojmë bashkëjetesë dhe bashkëpunim paqësor midis kombeve, pa kërcënime lufte dhe agresioni, ose do të detyrohemi të jetojmë në frikë të vazhdueshme, paqëndrueshmëri dhe pasiguri” – një mesazh i fortë për të gjitha vendet anëtare të OKB-së për rëndësinë e miratimit të Rezolutës së OKB-së dërgoi kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili tha se duhet të rivendoset paqja dhe rendi ndërkombëtar dhe kërkoi nga të gjithë që të solidarizohen me Ukrainën.

Marketing

“Komuniteti ndërkombëtar, i mishëruar në Kombet e Bashkuara, nuk mund të lejojë që kjo shkelje e rëndë e të gjitha normave dhe parimeve të mbetet pa llogaridhënie. Drejtësia dhe përgjegjësia duhet mbi të gjitha për hir të viktimave, por janë edhe parakusht për shmangien e agresioneve të mëtutjeshme dhe përdorimit të paprovokuar të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Osmani.

Kryesuesi i OSBE-së u tha përfaqësuesve të vendeve anëtare të OKB-së se zëri i tyre në Kuvendin e OKB-së është zëri i popujve që ata përfaqësojnë.

“Çfarë kuptimi kanë veprimet tona politike, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, nëse heshtim përballë vuajtjeve njerëzore, të cilat nuk shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore, por nga një luftë e qëllimshme agresioni? Përgjegjësia sot është imperativ moral sepse është mjeti më efektiv për të mos u përsëritur e njëjta gjë, në një vend tjetër, te një shtet tjetër sovran, te një popull tjetër”, tha Osmani në Kuvendin e Përgjithshëm të OKB-së.

Ai theksoi se populli ukrainas meriton drejtësi dhe se duhet të ketë llogaridhënie për agresionin e pakuptimtë.

“Në një moment lufta do të përfundojë. Infrastruktura do të restaurohet, shtëpitë do të rindërtohen. Por, viktimat e këtij agresioni të pakuptimtë meritojnë më shumë: ata meritojnë drejtësi. Dhe njerëzimi meriton një bazë më të fortë për shmangien e luftërave agresive në të ardhmen”, tha Osmani.

Marketing
Exit mobile version