Osmani në takim me Asselborn: Miqtë brenda Unionit forcojnë impulsin reformues në vend

Ministri i Punëve të Jashtme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në kuadër të vizitës së punës në Dukatin e Madh të Luksemburgut, realizoi takim me kolegun e tij, Ministrin për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane dhe Ministër për Migracion dhe Azil të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn.

Marketing

Siç njoftojnë nga MPJ, dy ministrat iu referuan raporteve bilaterale, duke shprehur kënaqësinë nga intensiteti i dialogut politik në mes dy vendeve, ndërkaq u shqyrtuan edhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimit në fusha tjera të interesit të përbashkët.

“Kjo vizitë vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Doemos duhet të jem i sinqertë, ekziston dëshpërim serioz nga fundi i vitit, kur nuk u soll vendimi për kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut nga ana e Këshillit të BE-së. Por, mbështetjen nga miqtë tanë e shohim si motiv të ri, me të cilin do t’i stimulojmë të gjithë vepruesit në shtet që të përpiqen më shumë dhe me më shumë përkushtim në dosjen tonë reformuese, deri në përmbushjen e përcaktimit tonë strategjik, anëtarësimin e plotë në BE”, tha Osmani.

U shkëmbyen mendime edhe për temat aktuale nga fusha e politikës ndërkombëtare dhe rajonale, ndërsa u diskutua edhe për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në gjatë vitit 2023.

“Vizita e punës së Osmanit në Luksemburg mbaroi suksesshëm me riafirmimin e mbështetjes parimore të Luksemburgut në drejtim të arritjes së njërës prej qëllimeve tona strategjike për mbështetjen e anëtarësimit tonë të plotë në BE”.

“Nga dita e nesërme, Osmani do të qëndrojë për vizitë pune në Mbretërinë e Belgjikës ku si nikoqir ka zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtinë e Jashtme dhe Institucioneve Kulturore Federale Sophie Wilmès, ndërkaq do të takohet edhe me Kryetarin e Parlamentit belg Eliane Tillieux dhe kryetarin e Senatit belg Stephanie D’Hose. Vizitën në Belgjikë, Osmani do ta shfrytëzojë që të takohet edhe me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Komisarin për buxhet, Johanes Han”, thonë nga MPJ.