Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në kuadër të vizitës së punës në Japoni është takuar edhe me Princin e Kurorës Akishino dhe Princeshën Akishino.
Në takim Ministri Osmani shprehu kënaqësinë për raportet mes dy vendeve, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit kulturor. E përshëndeti veprën e Kenzo Tange, si pikë bashkimi dhe simbol i miqësisë ndërmjet dy vendeve, si dhe ndarjen e çmimit të sivjetëm “Kurora e artë”, që iu nda poetit japonez Shuntaro Tanikava, në kuadër të Mbrëmjeve strugane të poezisë.
Më pas, Ministri Osmani realizoi takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar për bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, Shinxhi Inoue dhe anëtarë të tjerë të grupit.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet mes dy vendeve, mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe biznesit, sfidat aktuale të sigurisë dhe ndikimin e tyre në kontinentin evropian dhe Indo-Paqësorin.