Osmani në takime me Presidentin e Armenisë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesues aktual me OSBE-në, Bujar Osmani, sot e përfundon turneun katërditor nëpër vendet e Kaukazit Jugor me vizitë në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, ku do të ketë takime me krerët e shtetit armen dhe përfaqësues të Kuvendit Nacional.

Marketing

Siç bëri të ditur MPJ-ja, pikat kryesore të diskutimit do të jenë gjendja aktuale e marrëdhënieve armeno-azerbajxhane dhe roli i OSBE-së dhe vendeve të saj pjesëmarrëse në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Kaukazit Jugor, si dhe në rajonin më të gjerë të OSBE-së.

Për këto çështje, Osmani do të diskutojë me Presidentin e Armenisë, Vahan Haçaturijan, Kryeministrin Nikol Pashinjan, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ararat Mirzojan dhe delegacionin e Kuvendit Parlamentar të OSBE-së nga Kuvendi Nacional i Armenisë.

Paraprakisht tri ditë, Osmani ishte në vizitë dyditore në Gjeorgji dhe njëditore në Azerbajxhan, nga ku përcolli mesazhin se OSBE-ja, veçanërisht gjatë kryesimit nga Maqedonia e Veriut e ka lartë në listën e prioriteve vendosjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajonin e Kaukazit Jugor.