Viti i ardhshëm 2019 do të jetë viti kur Maqedonia do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, tha në takimin e sotëm me gazetarët zv. kryeministri për çështje eurointegruse, Bujar Osmani, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për këtë Osmani bazohet në arritjet, siç tha, historike të vitit 2018, në pritjet për përfundimin e detyrimeve të marrëveshjes së Prespës në vend, në realizimin e përcaktimeve të Planit 18 dhe mbi të gjitha deklaratën e Komisioneri Evropian, Johannes Hahn mbi afatin kohor për t’u anëtarësua në Bashkimin Evropian.
“Edhe përkundër asaj se ekziston pesimizëm se a jemi gati, përsëri, konfirmimi i Komisionerit Hahn se Maqedonia mundet së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi ta arrijë vitin 2025, ky është lajm i vitit sepse 2025 është afër dhe se topi është në anën tonë që të mund ta arrijmë këtë afat”, tha Osmani.
Sipas tij, ekziston një dilemë teknike në lidhje me datën e negociatave, pasi hendeku kohor ndërmjet njoftimit të raporteve për vendet kandidate, që zakonisht ndodh në prill, mbajtja e zgjedhjeve për PE-në dhe shqyrtimi i atyre raporteve nga vendet anëtare të BE, po ngushtohet.
Osmani tha se paralelisht po zhvillohet edhe skriningu dhe formimi i strukturave negociuese, ndërsa tani vetëm se kanë kaluar disa kapituj në Bruksel.