Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nesër, e martë 15 tetor, udhëton për në Luksemburg dhe Bruksel në konsultime dhe bisedime përfundimtare me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe vendeve – anëtare të Unionit në takimin Ministror për Punë të Përgjithshme (GAK) ku në rend të ditës do të jetë vendimi për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të vizitës Osmani do të mbajë edhe takim pune me Ministrin alternativ të Greqisë për Evropë, Miltiadis Varviciotis, takim i parë zyrtar i Ministrave për Çështje Evropiane të të dy vendeve, pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Micotakis në Greqi, ku do të hapen çështjet për bashkëpunim bilateral mes dy vendeve në veçanti në kuadër të bashkëpunimit të paraparë për integrimin evropian të vendit.