Bota po përballet sërish me sfidën e saj më të madhe dhe OSBE-ja është në sy të stuhisë së agresionit të vazhdueshëm të një shteti pjesëmarrës mbi një tjetër. Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës është i pajustifikuar dhe i gabuar. Është një shkelje flagrante e Kartës së KB-së dhe mbi të gjitha e vlerave të njerëzimit. Kjo luftë po gërryen themelet e OSBE-së, vizioni i së cilës si qendër e bashkëpunimit ndërkontinental të sigurisë është testuar seriozisht. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në prezantimin e tij para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, duke prezantuar prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën në vitin 2023.
“Ukraina do të mbetet prioriteti ynë i lartë. Kjo ishte edhe arsyeja që ne mbështetëm vazhdimin e aktiviteteve të OSBE-së në Ukrainë. Megjithatë, të mos harrojmë se ka tensione edhe në vende tjera në rajonin e OSBE-së që po shkaktojnë gjithashtu shqetësime të mëdha. Është e rëndësishme të ndërtohet mbi formatet ekzistuese, duke ofruar mbështetje për praninë tonë në terren dhe operacione të tjera në terren. Organizata duhet të mbetet e angazhuar nëpër rajone në kërkim të paqes.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Ministri potencoi se synimet preliminare prioritare janë në linjë me parimet dhe angazhimet e Organizatës dhe se ato kanë një qëllim të shumëfishtë: t’i reflektojnë interesat tona, kontinuitetin e prioriteteve të rregullta të OSBE-së, por edhe t’i përgjigjet marrëdhënieve komplekse gjeopolitike. Në këtë kontekst, ai e veçoi sigurinë energjetike, ushqimore dhe sigurinë e ujit, si tema që imponohen në agjendën e OSBE-së.
Maqedonia e Veriut e merr presidencën në vitin 2023 nga Polonia dhe sipas formatit të vendosur, këtë vit kryeson me Grupin Mesdhetar të partnerëve të OSBE-së.