Osmani nga Brukseli:Angazhimi i shtuar i NATO-s në Ballkanin Perëndimor, i rëndësishëm për stabilitetin rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në Takimin Ministror të NATO-s, i cili u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel.

Marketing

Në kuadër të takimit, aleatët diskutuan për zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, duke rikonfirmuar unitetin e palëkundur dhe mbështetjen e përbashkët për Ukrainën. Njëherit, iu referuan prioriteteve të Aleancës në prag të Samitit të NATO-s, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm, në Uashington.

Osmani përshëndeti përkushtimin e fuqishëm dhe angazhimin e shtuar të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si rajon me rëndësi strategjike i Aleancës.

“Veçanërisht i rëndësishëm është koordinimi i ngushtë ndërmjet NATO-s dhe BE-së, ndërsa përshpejtimi i proceseve integruese euroatlantike është thelbësor për konsolidimin e stabilitetit në rajon dhe parandalimin e ndikimeve destabilizuese nga palët e treta”, theksoi Osmani.

Njëherazi, u theksua mbështetja e fuqishme për politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ku aleatët shprehën pritshmërinë e tyre për anëtarësimin sa më të shpejtë të Suedisë si anëtare me të drejta të plota e Aleancës.

Marketing