Osmani nga malësia e Tetovës: Front i madh Europian do të bëhet mburoja e fuqishme e atij nacionalizmi në rritje dhe do të bëhet urë drejtë Brukselit

Sot kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga Fronti Europian, Bujar Osmani, vizitoi vendbanimet e Tetovës dhe malësisë së Sharrit, duke nisur nga Bozovci, Veshalla, Brodeci, Shipkovica, Liseci, Gajrja e tj. dhe me banorët e këtyre fshatrave diskutuan për programin e tij si president dhe për udhëkryqin në të cilin gjendet vendi që korrespondon me peshën me rëndësi historike të kandidaturës së tij për president.

Marketing

Osmani duke potencuar se si kandidat i Frontit Europian gjegjësisht i nëntë partive politike dhe katër komuniteteve, që gjithsej bëjnë diku 47% të popullit në Maqedonisë së Veriut, shqiptar, turq, boshnjak dhe rom, shtoi se kësaj radhe gjasat janë shumë serioze për të kaluar si kandidat shqiptar në raundin e dytë. Duke pas parasysh votat do të shpërndahen në 5 kandidat, secili më vete i fuqishëm, kjo atij i jep epërsi për të dal në raundin e dytë.

“Por, kjo kërkon mobilizim, prandaj nuk kam lënë vendbanim pa kaluar. Dhe porosia më e madhe që mund t’ua dërgojmë, është se, tash më jemi shtet i dy popujve, që garojnë në raund të dytë për president, një maqedonas, një shqiptar. Ky është mesazh historik. Prandaj ju kisha lut që të mobilizoheni, që ta bëjmë ta mundshme thyerjen e kësaj barriere, sepse krijohet eufori, e euforia është si ortek i borës që mbledh përpara. Prandaj ju bëjmë thirrje njerëzve, që të mundemi ta arrijmë këtë fitore historike, të kalojmë në raundin e dytë” – kërkoi mbështetjen e popullit Osmani.

Mes tjerash Osmani ju referua edhe bukurive të këtyre fshatrave duke i krahasuar ato me vendet turistike zvicerane dhe austriake duke shtuar se po të ishim vend i Bashkimit Evropian do të kishte garë për vizitë të kësaj ane. Mes tjerash shtoi “na duhet mbështetja, na duhet bashkimi kësaj radhe që të mundemi t’i realizojmë ato qëllime që i kemi nis, e qëllimet janë të mbara, nijeti është i mirë: për të bërë një jetë më të lehtë, një jetë më të mirë, t’i mbajmë njerëzit këtu, të mos na ikin, ta sjellim Europën këtu e mos të shkojmë ne atje…nëse e realizojmë atë qëllim, sinqerisht mund të them që kjo do të jetë qendër e turizmit malor të Europës.

Osmani në fund falënderoi të gjithë banorët për mbështetjen dhe shtoi se vota e tyre më 24 prill do ta përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të 8 majit. “Ju ftoj që të mërkurën të mobilizohemi, të jemi të gjithë bashkë për shkak se ky vendim i të mërkurës e përcakton drejtimin kah do e marrë e ardhmja e popullit tonë, e vendit tonë” dhe nënvizoi se fatkeqësisht po ballafaqohemi edhe me një kërcënim të madh që vjen prej nacionalizmit që është vazhdimisht në rritje dhe se shpreson që ky Front i madh Europian që është ndërtuar, do të bëhet mburoja e fuqishme e atij nacionalizmi dhe do të ndërtojë një urë që çon në Bruksel.   

Marketing