Osmani: Nga një marrëveshje për paqe përfitojnë të dy palët

Kryesuesi i OSBE-së, njëherit edhe ministër i punëve të jashtme, Bujar Osmani, ka realizuar takimet e fundit në kuadër të vizitës së tij katërditore në Kaukazin Jugor. Situata aktuale dhe marrëdhëniet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit ishin çështjet kryesore të diskutimit me ministrin e punëve të jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan. Osmani edhe një herë e theksoi përkushtimin e OSBE-së ndaj Armenisë në përpjekjet dhe aspiratat e saj për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Marketing

“Si kryesues i OSBE-së i mbështet iniciativat për arritjen e Marrëveshjes për paqe. Është me rëndësi të madhe që përfundimisht të zgjidhen çështjet e kahershme dhe të normalizohen marrëdhëniet mes jush, si partnerë tonë të rëndësishëm. Në fund të ditës, përfitim më të madh nga marrëveshja për paqe të qëndrueshme do të keni pikërisht ju dhe qytetarët e Armenisë dhe të Azerbajxhanit.”, – deklaroi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.

Osmani shprehi interesim për gjendjen e armenëve të burgosur në Nagorno-Karabak, si dhe për situatën në Korridorin e Laçinit dhe efektet e saj. Siç theksoi ai, procesi negociues mund të jetë i vështirë, por duhet të mbizotërojë perspektiva e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Duhet të shohim me shpresë për të ardhmen edhe përtej shqetësimeve tona të tanishme në mënyrë që ta shohim fotografinë e plotë, e kjo është një marrëveshje që mund të arrihet përmes lidershipit të fortë, qëllimeve të mira dhe vullnetit politik. I inkurajoj të gjitha palët që të vazhdojnë me negociatat, përkundër përdorimit të forcës dhe imponimit në zgjidhjen e kontesteve.”, – theksoi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.

Për ta vendosur stabilitetin në teren dhe se kanë mbështetje të plotë, Osmani i ka përcjellë porosi edhe delegacionit të Kuvendit Parlamentar të OSBE-së nga Kuvendi nacional i Armenisë. Osmani në kuadër të vizitës së tij do të takohet edhe me presidentin e Armenisë, Vahan Khachaturyan dhe Kryeministrin, Nikol Pashinyan.