Osmani: Oligarkë maqedonas dhe liderë politik janë mbledhur në periferi të Shkupit për të alarmuar për ndikimin e shqiptarëve

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani në “Summer Click” në TV21 elaboroi se kush është Qendra hibride politiko-ekonomike që sulmon BDI-në. Osmani tha se para disa muajve në periferi të Shkupit janë mbledhur oligarkë dhe liderë politik e ish liderë, për të diskutuar, siç thonë ata, ndikimin e shqiptarëve në jetën publike dhe ekonomike.

Marketing

“Para disa muajve, diku këtu në periferi të Shkupit është mbajtur një takim, ndërmjet disa oligarkëve maqedonas dhe liderëve politik, të tashëm dhe ish liderë politik, duke ngritur alarmin, apo duke konstatuar se shqiptarët po marrin më shumë se sa u takon, ose po e zhbëjnë monopolin politiko-ekonomik të komunitetit maqedonas dhe ata dakordohen të krijojnë një qendër nacionale që të ndërpresin këtë proces të, siç e quajnë ata, shqiptarizimit të shtetit dhe në analizën e tyre, këto janë indikacione shumë kredibile, BDI-në e lidhin si paradigmë ose sinonim të asaj barazie etnike, të atij pozicioni të shqiptarëve”, tha Osmani.

Osmani tha se i njëjti grup, sipas tyre, ka vlerësuar se ky proces mund të ndalet duke dëmtuar liderin e BDI-së.

“Kjo nuk është frikë nga shqiptarizimi në fakt, është frikë nga barazia. Për shkak se ata barazinë e shohin si privilegj, nëse shohin shqiptarët në pozicione të rëndësishme politike, vendimmarrëse, ose ekonominë shqiptare…bile kanë përmendur se në ndërtimtari të gjitha kompanitë sot qenkan kompani shqiptare në Maqedoni, dhe gjoja kjo po e rrezikon interesin”, tha Osmani.