Osmani: Opozita të kuptojë se vendi nuk ka të ardhme pa BE dhe NATO

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani konsideron se kundërshtimi i opozitës për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, e cila, siç thotë është marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, e jo zgjedhjeve të ardhshme, do ta komplikojë gjendjen politike në vend. Por, ende shpreson se VMRO-DPMNE do të kuptojë se vendi nuk ka të ardhme pa BE dhe NATO dhe se ashtu do të sillet. Megjithatë, ai është i bindur se edhe pa mbështetjen e opozitës procesi mund të jetë i suksesshëm, para së gjithash, siç thotë, për shkak të besimit në zgjedhjen dhe vlerësimin e popullit.

Marketing

“Opozita ende e mban peng këtë proces, e me atë edhe të ardhmen e shtetit. Do të donim që këtë betejë ta zhvillojmë së bashku me opozitën, por, nëse nevojitet, do ta bëjmë atë edhe pa ta dhe do të kemi sukses. Besoj se me mbështetjen e madhe të qytetarëve do të arrijmë ta bëjmë atë në kohën e paraparë”, thotë Osmani në intervistën për gazetën greke Etnos.

I pyetur se çka nëse referendumi, që duhet të mbahet këtë vjeshtë, nuk do të jetë i suksesshëm, zëvendës kryeministri thekson se nuk pret që kjo mund të ndodhë, sepse, thekson, ka besim në popullin.

“Jam i sigurte se populli do ta njohë zgjedhjen e thjeshtë, mund të shkojmë përpara drejt të ardhmes më të mirë apo të kthehemi prapa në të kaluarën. Jam i sigurte se shumica do ta zgjedhin të parën”, thotë zëvendës kryeministri Osmani.
Ai thekson se prandaj punojnë për ta bindur opozitën të premtojë se do ta mbështesë vullnetin e popullit çfarëdo që të jetë, dhe se edhe pushteti do ta bëjë atë.

“Nëse ka edhe një votë më shumë marrëveshjes, ne do ta respektojmë atë vullnet të njerëzve”, thotë Osmani.
Ai duke iu përgjigjur pyetjeve se çka nëse në zgjedhje të parakohshme, mundësi të cilën e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, në pushtet vjen partia e cila nuk dakordohet me Marrëveshjen, thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë prioritet sepse ato do t’i ngadalësonin reformat, por beson se edhe sikur nesër të mbaheshin zgjedhjet, këto parti në pushtet sërish do të fitonin.

Në lidhje me njërin nga problemet që del nga Marrëveshja e emrit, ndërsa është e lidhur me brendin komercial “Maqedonia”, Osmani thotë se shumë aspekte nga kjo Marrëveshje, e cila sipas tij, në bazë është kompromis korrekt për të dyja palët, duhet të vendosen përmes praktikës dhe vullnetit të mirë për të ecur përpara.
Si sfidë më e madhe me të cilën vendi përballet në rrugën drejt BE-së, i potencon korrupsionin dhe sistemin gjyqësor, por edhe vendosjen e sistemit të meritokracisë, vlerësimin e punës së bërë, dhe krijimin e shërbimeve shtetërore në interes të qytetarëve.

“Të gatshëm jemi fuqishëm të përkushtohemi në këto reforma, të cilat do të sjellin ndryshime të shpejta”, thotë zëvendëskryeministri Osmani. Ai shton se sfidë për vendin janë edhe përgatitjet për skrining procesin e rëndë dhe më vonë edhe për negociatat me BE-në”, sepse, siç potencon, ligjdhënia, sistemi politik dhe social duhet të riaftësohen drejt standardeve të BE-së.

Në pyetjen se cili është ndikimi i asaj që Rusia tregon interes për Ballkanin, Osmani thotë se ajo nuk ka as resurse, as interes të madh të krijojë probleme në këtë rajon për periudhë më të gjatë.

“Besoj se përpjekjet e tanishme të Rusisë janë përpjekja e fundit ta ndalë ose ngadalësojë procesin e pakthyeshëm të inkuadrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në lidhje me informatat e Qeverisë së Maqedonisë për atë se biznesmeni rus nga Greqia ka dhënë para për protesta të dhunshme në Maqedoni para referendumit, ai u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të bëjnë hetim të shpejtë dhe të paanshëm në lidhje me këto akuza me qëllim që të zbulohet e vërteta.

Marketing