OSMANI: Orët në vijim – vendimtare për epilogun e negociatave

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në kuadrin e vizitës dyditore zyrtare në Bruksel, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federika Mogherini.

Marketing

Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Osmani e ka informuar atë me planin e ri të reformave, Planin 18, me të cilin Maqedonia mbetet e përkushtuar për procesin reformues edhe pas marrjes së rekomandimit dhe raportit pozitiv të Komisionit Evropian: ‘Plani 3-6-9 krijoi një bazë solide për implementimin e reformave thelbësore dhe afatgjata për përafrimin e shoqërisë sonë me atë evropiane, kurse Plani 18 është vazhdimësi e logjikshme e agjendës reformatore të Qeverisë për një bashkërendim dhe përcjellje në vazhdimësi të këtyre reformave deri në çeljen e negociatave,’- theksoi Osmani.

Gjatë takimit Osmani informoi bashkëbiseduesen edhe për përparimin e arritur në marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, duke shprehur kënaqësinë për përmirësimin e tyre, implementimin e masave të mirëbesimit, frenimin e përshkallëzimit të mospajtimeve politike, por edhe kënaqësinë me arritjet në bisedimet lidhur me çështjen e emrit:

“ Kemi një përparim serioz dhe asnjëherë deri tani dy vendet nuk kanë qenë kaq afër zgjidhjes. Orët në vazhdim mund të jenë vendimtare për epilogun e negociatave dhe më mbanë shpresa se epilogu eventual pozitiv do të krijojë një klimë të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe të kushteve për avancimin e perspektives euro-atlantike të Maqedonisë,” – shtoi Osmani.

Në fund të takimit, Zëvendëskryeministri Bujar Osmani shprehu shpresën se përparimi në implementimin e reformave, por edhe evitimin e barrierave politike, do të valorizohet në mënyrë përkatëse në samitet e këtij muaji të Bashkimit Evropian me çka do të vuloset e ardhmja evropiane e Maqedonisë, por edhe orientimi euro-atlantik I të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor-.

Marketing