Osmani: OSBE u shpëtua!

OSBE u shpëtua! Me këto fjalë, kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e nisi konferencën për shtyp me të cilën përfundoi Këshilli Ministror në Shkup, në të cilën njoftoi se janë zgjedhur pozitat kyçe që Organizata të vazhdojë të funksionojë.

Marketing

“Të gjitha vendet pjesëmarrëse njëzëri miratuan vendimin që Malta të jetë kryesuesja e re e OSBE-së në vitin 2024. U realizua edhe plani i propozuar nga Maqedonia e Veriut si kryesuese e Organizatës. Arritëm të zgjasim mandatin e të gjithë anëtarëve të institucioneve të OSBE-së. Është vazhduar mandati i Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid, i Komisionerit të Lartë për Pakicat Nacionale, Kairat Abdrakhmanov, i Përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro dhe i Matteo Mekaçi në krye të ODIHR-it. ”, tha Osmani për mediat.

Osmani falënderoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës Ian Borg për pranimin e tij për të marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë e kryesimit të Organizatës në vitin 2024.

­“Mund të llogaritni në mbështetjen tonë dhe uroj që kryesimi juaj të mos ketë aq sfida sa kemi pasur ne”, tha Osmani dhe falënderoi drejtuesit e institucioneve të OSBE-së për punën e deritanishme dhe u uroi sukses të mëtutjeshëm në mandatin e tyre të ri.

Osmani theksoi se kjo historikisht është ngjarja më e madhe politike që është mbajtur në vend, veçanërisht duke pasur parasysh agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës dhe shkeljen brutale të parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së nga Federata Ruse.

“Mbajtja e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup në kohërat dhe sfidat më të trazuara të luftës së hapur dhe vuajtjeve të njerëzve është një hap historik dhe revolucionar”, theksoi Osmani.

Osmani potencoi rëndësinë që shumica e vendeve pjesëmarrëse u mblodhën me vendosmëri dhe pa mëdyshje në Shkup për të përforcuar rëndësinë e paçmuar për ruajtjen e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe se edhe një herë, para botës, ata dënuan agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës.

Ai potencoi se Këshilli i Ministrave në Shkup edhe një herë hodhi dritë mbi atë që është më e rëndësishme për mbijetesën e Organizatës, e cila ende shkëlqen përkundër përpjekjeve të caktuara për ta shuar atë.

“Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në e mori të gjithë barrën me ndjenjën e përgjegjësisë dhe vetëdijes për rëndësinë e saj. Ne ia dolëm mbanë falë kompromisit, i cili e dimë shumë mirë se sa i rëndësishëm është në marrjen e vendimeve. Kompromiset janë jashtëzakonisht të vështira, ndonjëherë të dhimbshme, por janë të nevojshme për të hapur rrugën për një të ardhme më të mirë”, tha Osmani. Prandaj, mund të krenohemi që në një vit të mbushur me sfida, gjithmonë përballë të ardhmes, me shumë përpjekje ia siguruam OSBE-së një të ardhme”, deklaroi Osmani.

OSBE-ja i nevojitet popullit në Ukrainë, por edhe shumë njerëzve të tjerë në rajonin e OSBE-së që po përballen me sfida dhe ishin në fokus të kryesimit të Maqedonisë së Veriut të cilit dalëngadalë po i vjen fundi, tha Osmani. Kryesuesi dhe kryediplomati Osmani edhe një herë e përgëzoi Maltën si kryesuese e ardhshme dhe theksoi se Maqedonia e Veriut, si pjesë e Treshes, së bashku me Finlandën, do të bëjnë gjithçka për ta mbështetur atë dhe për të ndarë përvojën që mandati i Maltës si kryesuese të jetë i suksesshëm.

Në konferencën për shtyp morën pjesë kryesuesi i ardhshëm i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, Borg dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Schmid