Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në një intervistë për agjencinë e lajmeve greke ANA-MPA thotë se Marrëveshja e Prespës është zgjidhje e dobishme e ndërsjellë, ndërsa implementimi do të krijojë stabilitet politik dhe ekonomik në rajon, njofton Mia.
“Vendi do të hyjë në NATO, kjo do të krijojë stabilitet politik, ndërsa stabiliteti politik sjell stabilitet ekonomik. Në vazhdim do ta përmirësojmë prosperitetin ekonomik të qytetarëve në rajon. I gjithë rajoni do të lëvizë me ritëm të shpejtë dhe me atë më nuk do të ekzistojë “vrimë e zezë” në këtë pjesë të Evropës, që do të mund të ishte vend potencial për konflikte dhe luftëra”, thotë Osmani i cili shton se në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësohet edhe bashkëpunimi bilateral duke sqaruar se nga nënshkrimi i marrëveshjes për 18 për qind është rritur tregtia bilaterale.
Sipas zëvendëskryeministrit, Marrëveshja e Prespës do të ndihmojë në marrëdhëniet ndëretnike në brendësi të vendit.
I pyetur për reagimet të cilat ekzistojnë nga të dyja anët e kufirit, Osmani thotë se fakti që ekziston kundërshtimi i marrëveshjes me frazeologji të ngjashme në të dyja vendet tregon se marrëveshja është simetrike dhe shton se nëse do të ishte në dobi vetëm të njërës palë dhe nuk ishte zgjidhje win – win, atëherë do të ketë reagime të mëdha në njërin vend, ndërsa më pak në vendin tjetër.
Duke folur për procesin tek ne, Osmani thotë se kjo nuk do të ishte procedurë aspak e lehtë, por proces i ndërlikuar për të cilin askush nuk do të ishte i sigurt nëse do të kishte epilog të suksesshëm.
“I kishim dy liderë karizmatikë në vend, zotin Zaev dhe zotin Ahmeti, prej dy bashkësive etnike por edhe mbështetje të sinqertë prej bashkësisë ndërkombëtare, prej Bashkimit Evropian dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët në njëfarë mënyre e shpikën formulën e suksesit në këtë proces dhe jam shumë i lumtur që e përfunduam dhe e hoqëm këtë gurë “të madh” qafe i cili na pengonte të zhvillohemi në 27 vitet e kaluara”, thekson Osmani dhe shton se është në pritje që procesi të përfundojë me sukses dhe në Greqi të hyjë në fuqi marrëveshja.
Osmani vlerëson se me zgjidhjen e kontestit, përfitime ka për të dyja anët – Greqia do të ketë rol udhëheqës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
Lidhur me qëndrimin e Rusisë dhe mundësisë që Moska të krijojë probleme në implementimin e marrëveshjes, Osmani thotë se “tashmë është vonë”, pasi procesi është mjaft i pjekur që dikush të tentojë të bëjë kthesë.
“Një prej arsyeve që insistuam për përshpejtimin e procesit për hyrje në NATO është që të pengohen këto konflikte gjeopolitike për ndikim në rajon ku dëmi kolateral do të ishte pikërisht mbi rajonin dhe njerëzit të cilët jetojnë këtu. Prandaj, edhe krahas asaj që duam të kemi marrëdhënie të mira bilaterale me Rusinë, mesazhi është se i takojmë familjes euroatlantike të vlerave dhe ambicia e forcave të tjera gjeopolitike të ndikojnë në këtë rajon ka marrë fund”, sqaron Osmani për ANA-MPA.