Osmani për rezolutën e VMRO-DPMNE-së: Procesi duhet të fillojë nga zero

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në lidhje me rezolutën e propozuar të partisë opozitare VMRO-DPMNE mbi rrugën e integrimeve evropiane të vendit, deklaroi sot se partia e tij BDI është e mendimit se ky proces duhet të fillojë nga zero, që partitë politike të ulen në mënyrë konsensuale, dhe jo të imponohen nga një parti.

Marketing

“Kam frikë se me një rezolutë të tillë ne mund të kalojmë nga pozicioni shtetëror në pozicion etnik”, tha Osmani.

Pavarësisht presioneve nga opozita, theksoi Osmani, ne nuk kemi hyrë në dialog negativ me Bullgarinë dhe para syve të botës kemi marrë njohjen se kemi të drejtë.

“Ne kemi arritur konsensus etnik. Shteti nuk ka qenë kurrë kaq unanim. Gabimi më i madh që mund të bëjmë deri më tani, nga një pozicion shtetëror që ka besueshmëri para botës, është që dikush ta kthejë atë përsëri në pozicion etnik”, deklaroi Osmani në “Utrinski Bifing”.

Ai thotë se nëse për shkak të disa ambicieve politike, partiake, ky konsensus shtetëror që kemi arritur kthehet përsëri në çështje etnike, kjo është dëmi më i madh që mund të bëjë.

“Nëse duhet të miratohet ndonjë rezolutë, ajo duhet të jetë produkt i të gjithëve, dhe jo i imponuar nga një parti politike. BDI-ja është e mendimit se ky proces duhet të fillojë nga zero, që partitë politike të ulen në mënyrë konsensuale, dhe të mos imponohen nga një parti, siç e përmenda, kam frikë se me një rezolutë të tillë mund të kalojmë nga shtetërore në tjetër pozicion etnik”, tha Osmani.