Osmani për vizitë dyditore në Japoni

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Japonisë, Joshimasa Hajashi, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Japoni.

Marketing

Krahas takimit me homologun e tij, ministri Osmani do të pritet nga trashëgimtari i fronit të Japonisë, Princi Akishino.

Ministri Osmani do të ketë takime të ndara me spikerët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Këshilltarëve të Parlamentit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda dhe Akiko Santo, si dhe me anëtarët e Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut.

Në kuadër të vizitës në segmentin ekonomik, ministri Osmani do të organizojë Forum Biznesi me Organizatën Japoneze e Tregtisë së Jashtme – JETRO, ku do t’i prezantojë përfitimet për investim në Maqedoninë e Veriut para kompanive të njohura japoneze si Honda, Mitsubishi, Nipon Koei e të tjera. Gjithashtu, Ministri Osmani do të takohet edhe me ministrin e Osaka EXPO 2025, Kenxhi Vakamija.

Qëllimi i vizitës është avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet afariste. Njëherazi, do të shkëmbehen mendime për situatën aktuale të sigurisë në kontinentin evropian dhe Indo-Paqësorin, prioritetet e politikës së jashtme të të dy vendeve si dhe për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe temat rajonale.

Ministri Osmani nga Tokio do të udhëtojë për në Uashington, ku do të udhëheqë delegacionin qeveritar në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-ve.