Osmani pranoi letër falënderimi nga MPJ e Suedisë për mbështetjen e anëtarësimit në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot priti Ambasadoren e Suedisë, Ami Larson Xhejn.

Marketing

Në takim u shkëmbyen letra nga Ministrat e Punëve të Jashtme me rastin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Osmani e uroi Suedinë për anëtarësimin në NATO, duke theksuar se me këtë hap do të forcohet stabiliteti evropian dhe stabiliteti i përgjithshëm transatlantik.

“Aderimi i Suedisë në NATO si vendi i 32-të anëtar është një moment historik që do ta bëjë Aleancën më të sigurt dhe do të forcojë sigurinë tonë kolektive. Njëherit paraqet konfirmim të unitetit të të gjitha vendeve anëtare, që është veçanërisht i rëndësishëm në këto kohë kur po përballemi me agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe me pasojat ndaj stabilitetit të kontinentit evropian”, theksoi Osmani.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ku u rikonfirmua edhe mbështetja e fuqishme e Suedisë për anëtarësimin tonë sa më të shpejtë në BE.