Osmani procedon projektligj për luftimin e pandemisë Covid-19

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka proceduar nismën legjislative rreth Projektligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Marketing

Në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës është thënë se nisma është iniciuar si rrjedhojë e kërkesave nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili specifikon rolin e Kuvendit në ndërmarrjen e masave të duhura për t’u siguruar ‘që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën’.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës, për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin e ka shpallur të pavlefshëm.

Gjykata ka konstatuar se kufizimi i të drejtave të njeriut mund të bëhet vetëm me ligj të Kuvendit të Kosovës.

Të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

“Sipas vendimeve, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj, i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në vendime shpjegohen edhe mundësitë e lëvizjes në lidhje me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar masat e qeverisë që ai drejton, duke i konsideruar ato si mjaft të vështira, por të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Opozita, ndërkaq, i ka cilësuar masat e fundit të qeverisë si jokushtetuese dhe përpjekje për të mbijetuar në pushtet.

Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.​