Garanca më e mirë për ruajtjen e identitetit maqedonas, pas hyrjes në NATO, Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, ka deklaruar Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, gjatë një interviste për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemajne Cajtung”.
Megjithatë, siç njofton Klan M, ai shton se Maqedonia e Veriut është vendi më i maltretuar në procesin e zgjerimit të BE-së.
I pyetur nëse ka garanca se Bullgaria nuk do të ketë kushte të reja pas miratimit eventual të ndryshimeve kushtetuese, Osmani ka theksuar se askush nuk e di se cfarë do të sjellë dita e ardhshme.
“Fatkeqësisht, shpeshherë jemi zhgënjyer, kurse dinamika në politikën bullgare është aq e pasigurtë sa që nuk dihet se çfarë do të sjellë dita e nesërme. Jam i sigurt se Bullgaria vazhdimisht do të formuojë kërkesa të reja. Por, për mua e rëndësishme është çka është në agjendën e BE-së. Arritëm kompromis me Bullgarinë, plan aksional për pakicat. Duam që temën ta transferojmë nga interpretimet historike dhe çështjet identitare drejt të drejtave të njeriut dhe pakicave, për shkak se në këtë fushë jemi të mirë” – dekalroi Bujar Osmani.
Ministri Osmani për gazetën gjermane ka theksuar se është i vetëdijshëm për rrezikun se disa qarqe në Bullgari do të përpiqen ta keqpërdorin situatën me shtetasit e RMV-së që posedojnë pasaporta bullgare. Sipas “Frankfurter Allgemajne Cajtung” kjo shifër është mbi 80.000.
“E di se pas kërkesave për të drejtat e pakicave qëndrojnë qëllime të pandershme. Por, për mua kërcënimi më i madh është se derisa qytetarët tanë nuk janë pjesë e BE-së, do të detyrohen të aplikojnë për pasaporta bullgare për shkaqe sociale dhe ekonomike” – tha Bujar Osmani.
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre Bujar Osmani ka konfirmuar atë që kjo parti vazhdimisht është duke e pohuar, se Bullgaria vazhdimisht do të formulojë kërkesa të reja.