Osmani: RMV merr kryesimin me A5-n në vitin 2023

tabiliteti i Ballkanit Perëndimor në kontekst të situatës aktuale të sigurisë, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe eurointegrimi, kanë qenë temë në takimin ministror të Kartës së Adriatikut në Podgoricë. Si kryesues i ardhshëm i nismës A5, Maqedonia e Veriut ka marrë iniciativë për revitalizimin e mëtejshëm të Kartës, tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Marketing

“Qëllimi është jo vetëm ta forcojmë, por edhe t’i japim A5-ës rolin e duhur në rajonin tonë. Në një farë mënyre, përmes një koncepti të ri, apo një narrative të re, të bëjmë një përshtatje të qëllimeve dhe misionit të Kartës, sipas sfidave të reja gjeopolitike dhe rrethanave të reja në të cilat ndodhet rajoni.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Ballkani Perëndimor duhet të përpiqet në ruajtjen e stabilitetit, tha kryeministri malazez, Dritan Abazoviç. Integrimi në NATO dhe BE, sipas tij, është garanci e rajonit tonë.

“Interesat për të cilat angazhohen anëtarët e A5-s janë stabiliteti afatgjatë dhe rajoni prosperues, ndërsa integrimi në strukturat euroatlanike janë garanci më të mëdha për ekzistimin e këtyre qëllimeve.”,- theksoi kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Osmani dhe Abazoviç folën edhe për “Ballkanin e Hapur”. Të dy mbështesin idenë se iniciativat nuk janë të suksesshme nëse nuk kanë në agjendë interesin e të gjithë rajonit.

“Nëse shohim se çfarëdo qoftë iniciative është në kundërshtim me interesat e partnerëve rajonal, jo që do të ftojmë anëtarë të rinj, por edhe ne nuk do ta përkrahim një iniciativë të tillë.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

“Mali i Zi është këtu, siç është në A5 dhe në iniciativa tjera rajonale. Gjithçka që ulë tensionet rajonale, shfuqizimin e barrierave ekonomike, koncentrim të integrimit, shkon në favor të Malit të Zi. A është inkluzive kjo iniciativë? Po është gjithëpërfshirëse.”,- u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, ka takuar edhe presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe zyrtarë të tjerë malazez.