Osmani: Rregullat janë strikte, ekziston shumë pak hapësirë për keqpërdorim të IPA fondeve

Rregullat për aplikimin e fondeve IPA nga Komisioni Evropian janë shumë të qarta dhe të rrepta dhe ka shumë pak hapësirë ​​për abuzime të mundshme, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske nëse do të ketë një komision të posaçëm për të monitoruar shpërndarjen e fondeve strukturore të BE-së.

Marketing

“Maqedonia e Veriut ka qenë prej kohësh e përfshirë në zbatimin e mjeteve të pakthyeshme nga Komisioni Evropian, zyrtarisht që nga viti 2007 si fonde IPA, implementimin e bëjmë në përputhje me institucionet tona, ndërsa KE-ja ka mekanizma të saj për monitorimin dhe mbikëqyrjen e mënyrës së menaxhimit me këto mjete. Edhe Maqedonia e Veriut ka një agjenci që bën kontrollimin e shpenzimeve dhe këto rregulla janë shumë të qarta dhe të rrepta. Shpresoj që ky sistem i menaxhimit dhe zbatimit të decentralizuar do të vazhdojë edhe më tej, sepse është një shenjë e besimit në ndërtimin e kapaciteteve në aplikimin e fondeve IPA, por ne po e bëjmë atë në bashkëpunim me KE-në dhe mendoj se ka shumë pak hapësirë ​​për abuzime të mundshme”, tha Osmani.

Lidhur me fondet IPA, ambasadori i BE-së, Dejvid Gir tha se KE-ja direkt dhe indirekt ka një sistem shumë të fortë për menaxhimin e këtyre fondeve, i cili është krijuar për të shmangur rrezikun e keqpërdorimit të mjeteve të tilla financiare.

“Është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që ato fonde të shpërndahen aty ku duhen vërtet, në mënyrë që të bëhet përparim në fusha siç është aderimi Maqedonisë së Veriut drejt BE-së,” tha Gir.

Lidhur me përdorimin e vogël të IPA dhe nëse vendi ka kapacitet dhe burime njerëzore për t’i përdorur ato, Gir theksoi se hapat e parë të rëndësishëm që duhet të ndërmerren janë ndryshimet legjislative ndërsa hapi i ardhshëm është implementimi.

“Ka shumë gjëra që duhet të forcohen. Patëm një debat shumë të hapur për këtë, nuk është vetëm korniza legjislative që është sigurisht e rëndësishme, por zbatimi, kapaciteti administrativ për të ofruar shërbime është edhe më i rëndësishëm dhe unë mendoj se kemi pasur bisedime konstruktive me funksionarë të ndryshëm, zyrtarë të Qeverisë për kapacitetet dhe përmirësimin e kapaciteteve, për mbështetje në zbatimin e reformave, për të cilat mund t’i përdorim fondet strukturore në menaxhimin e këtyre hapave”, theksoi euroambasadori.

Marketing