Kreu i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani gjatë takimit me homologun e tij bullgar Nikollai Millkov, tha se vlerëson rritjen e madhe të shkëmbimit tregtar me Bullgarinë, respektivisht, sipas Osmanit shkëmbimi tregtar për 8 muaj është 710 milionë euro me tendencë të kalojë 1 miliard euro, që paraqet rritje për 52% krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë vitit të kaluar, përcjell TV21. Osmani tha se vlerëson edhe përpjekjet për rritje të bashkëpunimit në sferën e kulturës, e që sipas tij shpesh herë po keqpërdoren nga palë të treta.
“Periudhën e fundit kemi qenë dëshmitarë se si keqpërdoren këta tema edhe përmes manipulimit të ndjenjave të qytetarëve, krijohen ngjarje të pakëndshme që për qëllim kanë të kidnapojnë aktivitetet e dy shteteve për avancimin a marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kjo nuk është interes as i Maqedonisë së Veriut as të Republikës së Bullgarisë. Dua të besoj që bashkë me kolegun Millkov do të bëjmë gjithçka që mos të lejojmë që të tjerët të na e udhëheqin politikën e jashtme, të tjerët të na thurin marrëdhëniet bilaterale, por ne dy, bashkë me diplomatët nga ministritë tanë, në frymën e vlerave evropiane do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhme evropiane për qytetarët tanë, nuk duhet të harrojmë se jemi partnerë aktual në NATO, partnerë të ardhshëm në BE, por mbi të gjitha miq dhe fqinjë të mirë”, deklaroi Osmani/tv21.tv