Osmani: Shkupi përmes Këshillit Ministror të OSBE-së do të jetë qendra e botës për vendimet kyçe gjeopolitike

Këshilli Ministror i OSBE-së, i cili do të mbahet në Shkup nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.

Marketing

Presim që Shkupi të jetë nikoqir i 76 delegacioneve nga 57 vende pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerë në nivel të ministrave të jashtëm dhe përfaqësuesve të rangut të lartë nga organizatat ndërkombëtare ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve dhe partnerëve të OSBE-së.

Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media ku prezantoi detajet e organizimit të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet në sallën “Boris Trajkovski” dhe do të adaptohet e organizohet posaçërisht për të pritur delegacionet e rangut të lartë që do të marrin pjesë në këtë ngjarje më të madhe politike ndërkombëtare të organizuar në vend.

“Në thelb, ky Këshill Ministror është i jashtëzakonshëm sepse për herë të parë, OSBE-ja po përballet me një nga sfidat më të mëdha në historinë e ekzistencës së saj si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, gjë që shkaktoi mungesë konsensusi, që është vendimtare për vendimmarrje në Organizatë”, tha Osmani.

Duke folur për temat kryesore që do të diskutohen në Këshillin Ministror, ​​si zgjedhja e Kryesuesit të OSBE-së për vitin 2024, miratimi i buxhetit si dhe emërimi i pozitave të larta të institucioneve të OSBE-së dhe vendimet që vendet pjesëmarrëse do të duhet të bëjnë, Osmani theksoi:

“Me shumë gjasa, vendimi për të ardhmen e OSBE-së do të merret pikërisht në këtë sallë. Ministrat do të ulen pikërisht këtu dhe do të merret vendimi për të ardhmen e OSBE-së. Shkupi në një farë mënyre duhet të jetë qendra e botës ku ministrat e shteteve më të mëdha në botë do të kenë mundësi gjatë këtyre tri ditëve të kenë takime bilaterale dhe të komunikojnë për çështjet që prekin rajonin e OSBE-së”.

Ministria e Punëve të Jashtme ka një vit e gjysmë duke punuar në përgatitjen e Këshillit Ministror sipas protokolleve të përcaktuara rreptësisht nga OSBE-ja dhe në këtë organizim janë të përfshira edhe institucionet tjera shtetërore, tha Osmani.

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023. Kryesimi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë është i përqendruar në operacionet në terren të OSBE-së dhe kontributin e tyre në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe bashkëpunimin me institucionet kombëtare. Nën sloganin “Fjala është për njerëzit”, Kryesimi i Maqedonisë së Veriut i është përkushtuar sigurisë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale.

Ministri Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, realizoi numër të madh të vizitave në terren në vendet pjesëmarrëse në OSBE, duke filluar nga Ukraina, si prioritet kryesor i Organizatës dhe kryesimit, pastaj vendet e Kaukazit Jugor, Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet e Azisë Qendrore.