Osmani – Sijarto: Të jemi të bashkuar rreth idesë europiane

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Hungarisë, Piter Sijarto, sot më 16 nëntor, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka qëndruar për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

“Vitin e ardhshëm, në gjysmën e dytë të vitit, Hungaria do të kryesojë BE-në. Pres, si deri më tani, që Hungaria ta mbështesë fuqishëm dhe zëshëm integrimin tonë evropian. Prandaj, duhet të jemi të gjithë të bashkuar për idenë evropiane dhe të sigurohemi që pas kaq vitesh pritje, të mos krijohet më ngërç në procesin e anëtarësimit në BE, në momentin kur ai në fakt po përshpejtohet për shkak të rrethanave gjeopolitike”, deklaroi Osmani.

Ministri Sijarto përcolli bindjen e tij të palëkundur se Hungaria do t’i kushtojë fokus të rëndësishëm zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit të ardhshëm hungarez të Këshillit të BE-së dhe do të vazhdojë të jetë një nga mbështetësit më të zëshëm të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Hungaria është partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik i vendit tonë, i cili është ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investitorët e huaj në vend, me prirje rritëse në tregti dhe suficit të vazhdueshëm eksportesh nga ana jonë.

Duke përshëndetur kryesimin tonë me OSBE-në, ministri hungarez i Punëve të Jashtme theksoi se Hungaria e vlerëson veçanërisht përkushtimin dhe kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit të OSBE-së.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, ku bashkërisht u konstatua se po i forcojmë edhe më tej marrëdhëniet e partneritetit dhe përkushtimin reciprok për tejkalimin e sfidave të sigurisë.