Osmani: Spastrimi etnik vazhdon në Luginën e Preshevës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se spastrimi etnik përmes mjeteve administrative po vazhdon në Luginën e Preshevës, përmes pasivizimit të adresave të banorëve, pasi Qeveria serbe pa gjurmë dhe pa lëshuar asnjë njoftim me shkrim apo dokument i fshin shqiptarët nga regjistri i gjendjes civile të Serbisë.

Marketing

Presidentja Osmani ka thënë se Policia e Kosovës qëndron krenare si mishërim i profesionalizmit dhe diversitetit brenda peizazhit të zbatimit të ligjit në rajon dhe më gjerë. Ajo ilustron një histori suksesi që është shpalosur gjatë dy dekadave të Republikës sonë të lirë.

“Qoftë në Jug apo Veri, Lindje apo Perëndim, misioni i palëkundur i policisë është një dhe i vetëm: rrënjosja e besimit, qetësisë dhe sigurisë në lagje dhe komunitete në të gjithë vendin”, tha ajo, derisa foli edhe një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën.

“Serbia tërhoqi disa nga trupat e saj nga kufiri vetëm pas paralajmërimeve të SHBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese. Por, forca të rëndësishme ushtarake vazhdojnë të jenë të vendosura në mënyrë të përhershme në zonë me 48 baza operative të Serbisë përreth kufirit me Kosovën”, tha Osmani

Osmani ka folur edhe për të drejtat që kanë komunitetet pakicë në Kosovë.

“Ndërsa flas për të drejta të zgjeruara dhe të avancuara për serbët e Kosovës dhe çdo komunitet pakicë në Kosovë, spastrimi etnik përmes mjeteve administrative siç është cilësuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, po vazhdon në Serbi, më saktësisht në Luginën e Preshevës, përmes pasivizimit të adresave të banorëve. Qeveria serbe pa gjurmë dhe pa lëshuar asnjë njoftim me shkrim apo dokument i fshin shqiptarët nga regjistri i gjendjes civile të Serbisë, dhe si rrjedhojë, duke iu mohuar të gjitha të drejtat e tyre themelore, këto shkelje të të drejtave, të konfirmuara edhe nga raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe disa nga rezolutat e fundit të Parlamentit Evropian, po përkeqësohen më tej nga gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese që përdoret në mënyrë rutinore nga mediat dhe politikanët në Serbi”, deklaroi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Osmani ka shtuar se drejtësia është pjesa qendrore e çdo veprimi të institucioneve të Kosovës.

“Një kriminel është kriminel, pa marrë parasysh kombësinë e tij. Në ndjekjen tonë të pamëshirshme për drejtësi, ne automatikisht respektojmë në mënyrë të palëkundur standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Çdo gjë në kundërshtim me këtë nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e pranueshme për ne”, u shpreh Osmani.