Osmani: Strukturat ilegale serbe janë shndërruar në banda mafioze

Osmani ka thënë se dialogu ka ngecur pasi shtetet nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se Serbia nuk po i përmbushë zotimet e saja, teksa Kosova, sipas saj, ka përmbushur detyrimet e veta.

“Nëse shohim listën e zotimeve që Serbia nuk i ka përmbushur është shumë e gjatë, do të na duhej deri nesër ta lexojmë. Kjo është e lehtë ta konfirmoni, mos besoni interpretimin tim, por zgjidhni cilëndo marrëveshje, qoftë marrëveshja për lëvizje të lirë, marrëveshjen për njohjen e diplomave, njohjen e dokumenteve të tjera, kthimin e të dhënave kadastrale, asnjëra nuk janë zbatuar, as ajo që obligon Serbinë që t’i largojë strukturat paralele ilegale nga Kosova, por fillimisht në veri. Por çfarë ka ndodhur është se në vend të heqjes së tyre, Serbia i ka forcuar vazhdimisht në atë masë sa këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafie dhe janë kthyer në rrezikun më të madh për serbët që jetojnë në veri të Kosovës”, ka thënë Osmani.

E para e vendit ka theksuar se Kosova po mbahet nën masa ndëshkuese, andaj askush nuk duhet të presë rezultate të prekshme.

“Pavarësisht të gjithë kësaj dhe listës së moszbatimit nga Serbia, gjeni cila palë është nën masa të BE-së. Është pala që është 100 për qind në linjë me BE-në, pala që asnjëherë nuk merr armë nga Rusia, Kina apo Irani, është pala që 95 për qind e popullit të së cilës janë në favor të BE-së, pala që kurrë nuk ka kryer akt agresioni ndaj fqinjëve të saj, që nuk destabilizon fqinjët, që nuk përdor rusët MIG të fluturojë mbi fqinjët e saj, kjo është pala që është nën masa – është Kosova. Prandaj tavolina është përmbys. Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, ka thënë Osmani.

Duke folur mbi raportet me SHBA-të, presidentja Osmani ka thënë se dallimet nuk janë te synimet finale.

“Sigurisht se do dëgjoni kohë pas kohe deklarata mospajtimi mes zyrtarëve të SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës sa u përket disa qasjeve, por kurrë për synimet përfundimtare ose vlerat fundamentale që i ndajmë. Nuk ka mospajtime në faktin se Kosova dhe SHBA duan një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme, prosperuese, multietnike, të bazuar në Kushtetutë. Por, nganjëherë qasja drejt ruajtjes së Kosovës demokratike, sovrane dhe të fortë dhe se si e arrijmë atë, mund të dallojë. Qasja, taktikat, nuancat, ka ndryshime në to, por nuk ka asnjë ndryshim në atë se çfarë Kosove duam, cilat janë vlerat fundamentale për shtetet tona dhe marrëdhëniet tona. Kur thelbi është i shëndoshë, të tjerat pavarësisht sfidave, mund të tejkalohen”.

Marketing