Osmani: Takimi i Ramës me partitë shqiptare është për shkëmbim mendimesh për aktualitetin politik

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot deklaroi se takimi i nesërm i kryeministrit Edi Rama me liderët e partive politike të shqiptarëve nga vendi në Tiranë është takim i Vitit të Ri me qëllim shkëmbimin e mendimeve në lidhje me çështjet aktuale në rajon dhe urimit të suksesit në vitin e ardhshëm dhe bëri apel që të mos krijohet “një lloj konspiracioni” në lidhje me të.

Marketing

“Sipas informacioneve të mia, takimi në Tiranë është takimi i Vitit të Ri të kryeministrit të Shqipërisë me liderët e partive politike me rastin e fillimit të Vitit të Ri, me qëllim shkëmbimin e mendimeve për aktualitetin në rajon, pritjet në Vitin e Ri dhe duke uruar për një bashkëpunim më të mirë. Është e qartë se ky vit do të jetë një vit sfidash për rajonin. Megjithatë, jemi në një vit në të cilin ende ka një luftë në kontinentin tonë, në të cilin ka sfida të shumta rajonale, aspirata të përbashkëta të të dyja vendeve për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha Osmani duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e sotme për shtyp, një konferencë ku prezantoi prioritetet dhe synimet e vendit gjatë presidencës me Kartën e Adriatikut në vitin 2023.

Sipas Osmanit, nuk ka një agjendë të paracaktuar për takimin në Tiranë që do të diskutohet dhe do të jetë një mundësi për të komunikuar dhe shkëmbyer ide, informacione dhe pikëpamje në të mirë të rajonit dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Mund të them se kryeministri i Shqipërisë është mik i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kjo është dëshmuar veçanërisht gjatë këtyre viteve dhe muajve negociata me Republikën e Bullgarisë, kur ndonjëherë edhe në kurriz të interesave të Shqipërisë, ai ka deklaruar qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në atë pjesë. Unë realisht nuk mendoj se duhet të krijohet ndonjë konspiracion lidhur me këto takime”, tha Osmani.

Sa i përket qëndrimeve për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen e liderëve të palëve të ftuara në këtë takim, Osmani tha se e gjithë kjo kalon çdo kufi dhe rrjedh se nuk ka më fokus në interesat e vërteta dhe të sinqerta të shtetit por vetëm interes partiak dhe politik.

“Unë e kuptoj që partitë politike kanë interes të përdorin dhe të shfrytëzojnë të gjitha situatat për të fituar një pikë politike, por e gjithë kjo kalon çdo kufi dhe shkon përtej dhe rezulton se nuk ka më një rishikim dhe fokusim në interesa reale të sinqerta të shtetit dhe e gjithë kjo rezulton të jetë vetëm interes partiak dhe politik. Ata duhet të deklarohen, të prononcohen para organeve të tyre votuese dhe publikut, sepse sipas meje kjo tashmë kthehet në mungesë të stilit të ndershëm në aspektin e veprimit”, tha Osmani.

Sipas paralajmërimve, Rama ka ftuar në një takim jozyrtar nesër në Tiranë liderët e BDI-së, Ali Ahmetin, të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të Lëvizjes Besa, Bilal Kasamin, të Alternativës, Afrim Gashin dhe të PDSH-së, Menduh Thaçin.

Alternativa, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa dje kanë konfirmuar për MIA-n se kanë marrë ftesë për takim.

“Ashtu siç u jemi përgjigjur pozitivisht të gjitha ftesave për takime dhe në këtë rast konfirmojmë ftesën, si dhe prezencën tonë në darkën e organizuar nga kryeministri Edi Rama”, thanë për MIA-n nga Aleanca për Shqiptarët.

Alternativa ka konfirmuar se në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë Afrim Gashi, por se nuk e dinë se çfarë do të diskutohet.