Osmani: Ukraina është vetëm stacioni i parë i ambicies imperialiste ruse, në radhë është Ballkani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mori pjesë në Konferencën e titulluar “Ukraina: Dy vite heroizëm”, ku u shënua dy vjetori i agresionit rus ndaj Ukrainës, organizuar nga Ambasada e Ukrainës në Shkup dhe CIVIL.

Marketing

“Sot u mblodhëm për të nderuar kujtimin e tyre dhe për ta siguruar Ukrainën se do të vazhdojmë me mbështetjen tonë edhe në të ardhmen. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e Ukrainasve dhe t’i japim mbështetjen e duhur për të mbrojtur dhe rindërtuar vendin. Maqedonia e Veriut e mbështet Ukrainën si në planin politik ashtu edhe në atë operativ dhe do të vazhdojë ta mbështesë deri sa të ketë nevojë. Në këtë drejtim, do të theksoja kontributin tone në suaza bilaterale, por edhe në nivel ndërkombëtar”, theksoi Osmani.

Në fjalimin e tij, Osmani vendosi theksin edhe në zotimet e tij, si kryesues me OSBE-në për gjetjen e zgjidhjeve praktike për të ndihmuar Ukrainën dhe popullin e Ukrainës në tejkalimin e sfidave të vështira.

“Ukraina ishte një nga prioritetet tona të kryesimit tonë me OSBE-në, ShBA-Kartën e Adriatikut (A5) dhe PBEJL, gjatë vitit që lam pas. Në cilësinë e kryesuesit me OSBE-në, dy herë e kam vizituar vendin dhe jam angazhuar fuqishëm në gjetjen e zgjidhjeve praktike që do të ndihmonin Qeverinë, shoqërinë civile dhe popullin e Ukrainës në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen. Njëherit, ne fuqishëm ishim të përqendruar që të bëjmë thirrje urgjente për t’i dhënë fund kësaj lufte. Gjithashtu, derisa kryesoja me A5, nisma lëshoi deklarata të përbashkëta për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e fuqishëm të agresionit rus” tha Osmani duke shtuar se si vend anëtar i NATO-s, mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të forcuar më tej mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën derisa vendi vazhdon të mbrojë pavarësinë, si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial.