Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e pjesëmarrjes në mbledhjen plenare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka vizituar edhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Nju Xhersi, ku tha se ofrimi i shërbimeve efikase për shtetasit tanë në mbarë botën është prioriteti numër një dhe se Ministria në këtë periudhë nuk ka prioritet më të rëndësishëm.
“Çdo gjë tjetër mund të presë, shtetasit tanë të mos presin!”, tha Osmani.
Krahas shërbmieve të tjera konsullore, Konsullata kryen procedurën e lëshimit të dokumenteve të reja të udhëtimit, ku kohëve të fundit fotografohen më shumë se 35 shtetas tanë në ditë, në terminet e caktuara, prandaj edhe Konsullata punon në dy turne dhe gjatë fundjavës.
Sipas raportit të Konsullatës, numri i kërkesave për shërbime konsullore këtë vit është dukshëm më i lartë se vitin e kaluar. Nga fillimi i vitit 2024, deri më 22 shkurt, Konsullata ka lëshuar 49 autorizime, 56 fleta udhëtimi, 1 leje për transportin e kufomës, 273 dokumente udhëtimi dhe tashmë ka konfirmuar 1282 termine për fotografim për dokumente të reja udhëtimi. Ndërsa gjatë vitit 2023 janë paraqitur gjithsej 434 kërkesa për dokumente udhëtimi, 136 fleta udhëtimi, 4 autorizime dhe 18 leje për transportin e kufomave.
Osmani shfrytëzoi rastin të bisedojë drejtpërdrejt me shtetssit tanë, të cilët ndodheshin në Konsullatë, me qëllim që të njihet me nevojat e tyre dhe për të gjetur mënyra të mundshme për përmirësimin e shërbimeve.
Javën e kaluar, Osmani ka vizituar Përfaqësitë tona diplomatike-konsullore më të ngarkuara në Evropë, si në Bon, Mynih, Bern, Venedik, Vjenë dhe Bruksel.