Osmani:Do të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me çdo çmim!

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç, për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë, Afrim Bunjaku.

Marketing

Në një intervistë për “Reuters”, Osmani tha se qëllimi i Vuçiçit është që ta krijojë “Krimenë në Republikën e Kosovës”.

Serbia dhe Vuçiç i kanë mohuar akuzat për përfshirje. Asnjë grup nuk ka dalë të marrë përgjegjësinë për sulmin apo të shpjegojë motivet e personave të armatosur.

Serbia, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e ish-krahinës së saj, fajëson Kosovën për nxitjen e dhunës duke keqtrajtuar banorët etnikë serbë, një akuzë që Kosova e mohon.

Osmani tha se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një ‘model të Krimesë’ duke krijuar tensione në veri të Kosovës, ku rreth 50,000 serbë vendas ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe refuzojnë sundimin nga Prishtina.

“Ajo që unë do t’i thoja presidentit Vuçiç është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.

Rusia pushtoi dhe aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, dhe autoritetet e Kosovës kanë frikë se Serbia mund të shkëputë pjesën veriore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka publikuar ato që thotë se janë fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.

Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.

Osmani tha se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.