OVL UÇK i drejtohet komisionerit evropian me një letër, kërkojnë hetim ndërkombëtar për Specialen

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së i është drejtuar me një letër Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty lidhur me Gjykatën Speciale.

Marketing

Në letër thuhet se po i drejtohen “jo për të kundërshtuar drejtësinë, por për të mbrojtur atë”. OVL UÇK kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Speciales, nën pretendimin se ka pasur shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, shkruan Insajderi.

“Sot, Dhomat e Specializuara nuk i ngjajnë më një institucioni gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut. Ato janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese. Procedurat e tyre janë të njollosura nga paraburgimet e tejzgjatura, redaktimet e tepruara të dokumenteve, vonesat në dorëzimin e provave dhe kufizimet në ndihmë juridike.

Dhomat e specializuara refuzojnë të marrin parasysh edhe Avokatin e Popullit të Kosovës, institucionin që ekziston pikërisht për të mbrojtur të drejtat themelore dhe i cili ka të drejtë të plotë, si në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës, ashtu edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, të hetojë shkeljet e mundshme. Por qëndrimi i gjykatës është i qartë, ato nuk japin as përgjigje, as shqyrtim, as llogaridhënie”, thuhet ndër të tjera në letër.

“Ky hetim duhet të udhëhiqet nga ekspertë të pavarur të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut, jashtë strukturës aktuale institucionale të gjykatës. Duhet t’i jepet mandati për të vlerësuar përputhshmërinë e gjykatës me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, trajtimin e të paraburgosurve, kufizimet procedurale të të drejtave të mbrojtjes, përjashtimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe privilegjet joproporcionale të zyrtarëve të saj”. /Insajderi.org/