Ozil: Se kam ndërmend të largohem nga Arsenali

Mesut Ozil u ka dhënë fund thashethemeve se ai do të largohet nga Arsenali për shkak se po kalon nëpër një periudhë pasigurie, duke këmbëngulur se Emirates është shtëpia e tij prandaj e ka ndërmend ta nderojë kontratën me klubin, e cila i mbaron në verën e vitit 2021.

Marketing

Ozil – ndër blerjet e profilit më të lartë që Arsenali i ka bërë në vitet e fundit – pothuajse nuk luan fare për klubin londinez që prej ardhjes së trajnerit Unai Emery, edhe pse është futbollisti më i paguar në klub.

Emery habiti kur tha së fundmi se Ozil nuk është pjesë e skuadrës së tij shpesh për shkak të lojtarëve të tjerë që e meritojnë më shumë një vend në ekip.
Kjo bëri që mediat të shkruajnë se “Topçinjtë” do ta shisnin turko-gjermanin për të grumbulluar të holla dhe për t’u ulur shpenzimet e klubit në mënyrë që të blejnë lojtarë të tjerë, por 31-vjeçari e ka bërë shumë të qartë se nuk e ka ndërmend të largohet.

I pyetur nga Athletic për thashethemet se ai do të largohet nga Arsenali, Ozil u përgjigj: “Jo. Unë kam kontratë deri në verën e vitit 2021 dhe do të qëndroj deri atëherë”.
“Kur e nënshkrova marrëveshjen, mendova gjatë dhe me kujdes për këtë dhe thashë se ishte ndër vendimet më të rëndësishme në karrierën time futbollistike. Nuk doja të qëndroja për vetëm një apo dy vjet të tjera, doja t’ia përkushtoja të ardhmen time Arsenalit dhe klubi e kërkoi të njëjtën nga unë”, shtoi ai.