Pa Thaçin në dialog, Kosova me ekip të cunguar përballë Serbisë

Njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se për shkak të mungesës së presidentit Hashim Thaçi në procesin e dialogut, Kosova duhet ta pezullojë këtë proces.

Për shkak të propozim-aktakuzës nga ana e Gjykatës Speciale, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk do të jetë pjesë e ekipit negociator në procesin e dialogut me Serbinë.

Marketing

Mungesa e presidentit Thaçi në këtë proces sipas njohësve të çështjeve politike dhe ndërkombëtare, po shihet si hendikep i Kosovës karshi Serbisë.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj, ka thënë për lajmi.net, se Kushtetuta ia përcakton qartë përgjegjësinë kryeministrit dhe presidentit në procesin e dialogut, sipas tij, e rëndësishme është që Kosova të ketë një qasje të njëjtë në dialogun me Serbinë.

Sipas tij në këtë situatë që gjendet Kosova është e pamundur që të vazhdohet dialogu me Serbinë ashtu siç duhet e aq më pak të arrihet marrëveshja përfundimtare.

“Çështjen e përfaqësimit në dialog është dashur ta shohim vazhdimisht edhe kur ka qenë zotëri Thaçi pjesë e dialogut është dashur ta shohim si do me thënë me pas qasje shtetërore. Do me thënë nuk është me rëndësi a është zotëri Hoti apo Thaçi, por kush e përfaqëson shtetin e Kosovës karshi shtetit të Serbisë. Është fakt që Kushtetuta e ka rikonfirmuar edhe një herë përgjegjësinë që kryeministri e ka në dialog, por në këtë rast unë besoj që nuk mjafton vetëm zotëri Hoti. Kur po them nuk mjafton, me idenë se Kosova megjithatë duhet ta ketë ekipin shtetëror në dialog. Tash pas paralajmërimit së aktakuzës për Thaçin, po shihet që ai nuk është i dëshirueshëm në Bruksel për me e vazhdua dialogun dhe natyrisht se i vetmi person legjitim prej Brukselit po konsiderohet Avdullah Hoti. Por unë besoj se kjo çështja e presidentit nuk duhet me qëndrua varur (peng) por duhet të zgjidhet sa më parë, qoftë me dorëheqjen e Thaçit dhe zgjedhjen e një presidenti të ri për shkak se në këtë rast po flasim për një delegacion të cunguar, për një ekip të cunguar të Kosovës në dialog. E ne e dimë se në dialog Kushtetuta ia jep përgjegjësitë e qarta edhe presidentit edhe kryeministrit. Zotëri Hoti mundet me vazhdua me diskutua, ndoshta me e pas edhe takimin e parë me presidentin Vuçiq etj., etj., si palë në dialog. Por unë prapë them se dialogu nuk do të jetë i mundshëm me vazhdua seriozisht e aq më pak me u arrit një marrëveshje finale pa qenë pjesë e ekipit edhe presidenti”, u shpreh Mushkolaj.

Mushkolaj po ashtu ka thënë se duke e marrë parasysh situatën aktuale politike në të cilën gjendet vendi ynë, do të ishte mirë që Kosova ta pezullojë për një kohë procesin e dialogut me Serbinë, pasi që siç theksoi ai, marrëveshja përfundimtare vështirë se do të arrihet këtë vit dhe se Kosova nuk duhet të ngutet që vetëm të nënshkruajë këtë marrëveshje.

Ai ka thënë se nëse Kosova e vazhdon tani procesin e dialogut do të jetë shumë e dobët karshi Serbisë.

“Unë besoj që këtë vit do të arrihet marrëveshja përfundimtare. Nuk kam besuar as para kohës kur u bë e ditur aktakuza për presidentin. Por kjo nuk do të thotë që Kosovës në fakt duhet t’ju ngutet për me u mbërri marrëveshja. Unë besoj se Kosovës nuk duhet t’ju ngutet. Mund t’ju ngutet Brukselit dhe Serbisë mirëpo Kosovës nuk duhet me iu ngut për shkak se duhet me i pa interesat e veta. Interesat e Kosovës nuk janë që në këtë rast të vazhdojë dialogun për shkak edhe të pozicionit shumë të dobët karshi Serbisë në dialog, shto këtu tash edhe barrën e Gjykatës Speciale dhe veprimet që munden me u prit në javët apo muajt e ardhshëm. Pozicioni i Kosovës dëmtohet edhe më shumë dhe dialogu që mund të vazhdojë në këtë kohë ndoshta duke e pasur edhe presidentin pjesë kushdo qoftë që do të mund të zgjidhej pas zotëri Thaçit kur ai të japë dorëheqje, prapë se prapë nuk mjafton vetëm sa për të thënë se po marrim pjesë në dialog, respektivisht për me e krye dialogun sa për sy e faqe. Pra unë nuk besoj që Kosovës duhet me iu ngut dhe nuk është koha që tash ta vazhdojë dialogun. Kosova duhet me e pezullua dialogun deri sa të konsiderojë se është në pozicion më të mirë për shkak se ne e dimë se çfarë përçarje politike kemi brenda vendit dhe çfarë qeverie jo stabile është pikërisht kjo që udhëhiqet prej zotëri Hotit”, u theksoi Mushkolaj.

Duke i marrë parasysh rrethanat politike në të cilat është vendi ynë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Avni Mazrreku, vlerëson për lajmi.net, se askush nuk e ka komoditetin që ta udhëheq këtë proces në këtë fazë.

“Mendoj se  në këto rrethana politike çfarë është aktualisht Kosova  e që ka definitivisht mungesë të stabilitetit politik dhe stabilitetit por edhe të atij institucional, asnjëri nga liderët politik duke i përfshirë edhe shefat e partive politike nuk e kanë komoditetin politik që ta kualifikojnë veten në pozitën që e kanë rrugën e hapur për ta drejtuar një proces të dialogut çfarë është ai midis Kosovës edhe Serbisë të vetëm dhe pa një koncesus më të gjerë politik”, theksoi Mazrreku.

Marketing