Logoja e qytetit të Shkupit është një dëshmi e gjallë e pabarazisë dhe mosrespektimit të përdorimit (të ligjit për gjuhët e pakicave) të gjuhës shqipe nga Këshilli i Komunës Shkup apo nga udhëzimet e kryetares së Komunës Danella Arsovska.
Mbishkrimi në gjuhën shqipe është lënë në rreshtin e tretë pas anglishtes, e cila del si gjuhë e dytë e anglishtfolësve në kryeqendrën e ‘drzhavës Severna’, ndërsa shqipja e treta me shkronja të imëta si gjuhë e pakicës së papërfillshme.
Ndërgjegjja ma thotë se këshilltarët shqiptarë të Komunës Shkup, e kanë miratuar këtë diskriminim gjuhësor për logon e qytetit me vetëdije, qoftë me urdhër nga lartë qoftë nga pazaret politike me shovinisten Danella, të cilët nuk kanë kundërshtuar rreshtimin dhe formatin e gërmave në logon e qytetit për gjuhën shqipe.
Qytetarët shqiptarë që kanë votuar këshilltarët shqiptarë nuk i kanë votur ata për të na diskriminuar në Këshillin e Komunës Shkup, por për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe pabarazia kombëtare që ushtron shovinistja Arsovska.
Për partiçkat shqiptare kjo pabarazi e shprehur përmes logos së qytetit nuk paraqet asnjë problem dhe mosrespektim të gjuhës shqipe, pasi ajo është aty e shkruar në shqip pavarsisht rreshtimit dhe imtësisë së shkronjave që bëjnë dallimin mes rreshtit të parë dhe rreshtit të tretë.
Kjo është logjika e këshilltarëve shqiptarë të varur nga partiçat tona, ku për hir të pazareve politike pranojnë denigrimin dhe pabarazinë gjuhësore në Këshillin Komunal të Shkupit.
Diskriminimi gjuhësor qëndron në atë se radhitja e gjuhëve është bërë e qëllimshme nga kryetarja tekanjoze Arsovska, për ta spostuar gjuhën shqipre si gjuhë të parëndësishme, ku duket nga leximi i shkronjave të imta që qëndron mbi logon e qytetit si
mbishkrim i kategorisë së tretë, pas maqedonishtes së Danellës dhe anglishtes së ‘dynjasë’.
Kryetarja shovene Arsovska flet me vepra dhe jo me fjalë, ku në logon e qytetit gjuhën shqipe e ka radhitur në rreshtin e tretë sipas rëndësisë që ajo i pëcakton me këshilltarët tanë servilë, e cila do të thotë se: ‘Gjuha shqipe është gjuhë e pakicës së papërfillshme, si kategori e tretë e qytetarëve të saj’, pas sllavishtes superiore dhe anglishtes ndërkombëtare!
Turpi i mbuloftë këshilltarët shqiptarë që para sovenes Danella u dorëzuan si ‘hajduti para policit’, duke pranuar pabarazinë dhe diskriminimin kombëtar mbi logon e qytetit dhe shumë pabarazi të tjera brenda komunës. Medai Shaholli