Vdekja e Prigozhin/ Gjendet “kutia e zezë” e avionit të rrëzuar, nis testi i ADN-së për të 10 trupat që humbën jetën

Kanë dalë në dritë më shumë detaje nga hetuesit rusë, të cilët thonë se për 10 trupat e gjetur nga rrëzimi i avionit në Rusi, kanë nisur të bëhen testet e ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre.

Marketing

Ndërkohë është gjetur edhe regjistruesi i fluturimeve, që njihet ndryshe dhe si “kutia e zezë”, i cili po analizohet për të nxjerrë të dhënat për të kuptuar se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit.

Kjo u konfirmua nga komisioni hetimor i Rusisë me anë të një postimi në rrjetin e mesazheve Telegram.

Hetimi mjeko-ligjor i skenës së rrëzimit të avionit midis Shën Petersburgut dhe kryeqytetit të Rusisë, Moskë, është në vazhdim.

“Dokumente dhe prova të tjera kyçe janë sekuestruar gjithashtu, si pjesë e hetimit,”- shtuan autoritetet.

Autoritetet ruse kanë rikuperuar mbeturinat nga avioni i liderit Wagner, Yevgeny Prigozhin, por pjesa më e madhe e enigmës ende mungon. Bëhet fjalë për konfirmimin zyrtar të vdekjes së tij.

Udhëheqësi rus, Vladimir Putin, zëdhënësi i tij i Kremlinit, si dhe llogaritë e Wagner në mediat sociale i janë referuar të gjithë Prigozhin. Megjithatë, zyrtarët rusë nuk kanë shkuar aq larg sa kanë thënë se një hetim për rrëzimin e avionit është duke u zhvilluar dhe se do të duhet kohë.

Duket se ka një konsensus në rritje se Prigozhin ka vdekur. Në të gjithë Rusinë njerëzit i kanë bërë nderimet e tyre, duke sjellë lule në memorialet e improvizuara. Llogaritë e mediave sociale, të lidhura me grupin ushtarak, kanë postuar nekrologjinë e tij.

Koha e një dekreti presidencial i cili kërkon që rekrutët për luftën në Ukrainë të betohen për besnikëri ndaj flamurit rus është jo pa interes, por, nuk i përgjigjet pyetjes se: çfarë do të ndodh tani me Wagner-in?

Nëse luftëtarët e grupit nuk i bashkohen ushtrisë ruse, siç dëshiron Kremlini, ka shumë pak gjasa që ata të paguhen nga shteti.

Pra, është e drejtë të dyshohet se ky është fundi i Wagner-it siç e njohim, veçanërisht pasi drejtuesit e tij të lartë ishin të gjithë në bordin e aeroplanit kur ai u rrëzua.

E ardhmja e vetë Wagner është vënë në dyshim nga vdekja e dyshuar e Prigozhin. Të premten, udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, tha se deri në 10,000 luftëtarë të Wagner do të vazhdojnë të jenë të vendosura në vend. Shumë ekspertë besojnë se Lukashenko merr urdhra nga Kremlini.

Presidenti Putin, për 24 orë qëndroi i heshtur, përpara se të shprehte ngushëllime për të gjitha familjet e viktimave. Ai e përshkroi Prigozhin si një “person të talentuar”, por që “bëri gabime të rënda në jetë”.

Që nga momenti i rrëzimit të avionit, ka pasur spekulime për shkakun e rrëzimit. Pentagoni thotë se besonte se shefi i Wagner ishte vrarë, ndërsa një zyrtar amerikan i tha CBS News se shkaku më i mundshëm i rrëzimit ishte një shpërthim në bordin e avionit.

Fshatarë pranë vendit të rrëzimit në rajonin Tver thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë përpara se të shihnin një aeroplan që të binte nga qielli.

Çfarë është “Kutia e Zezë”?

Pajisjet e kutisë së zezë (të cilat, në fakt, janë shpesh me ngjyrë portokalli, që ato mund të gjenden më lehtë në rrënojat e avionit) përmbajnë një sasi të madhe të dhënash fluturimi që do të duhet të shqyrtohen nga ekspertët.

Ato përmbajnë gjithashtu regjistrime audio nga kabina, të cilat i lejojnë hetuesit që të dëgjojnë se çfarë po bënte ekuipazhi pak para një përplasjeje. Pra, gjithçka do të marrë kohë për t’u analizuar.

Për më tepër, identifikimi i trupave pas një aksidenti të rëndë si një përplasje avioni mund të jetë shumë i ngadaltë, pasi testimi i ADN-së kërkon kohë dhe ata që vdiqën kanë pësuar trauma të konsiderueshme nga përplasja ose zjarri i shkaktuar pas përplasjejes.

Ndërsa autoritetet ruse mund të kenë thënë se trupat dhe “kutia e zezë“ është gjetur, kjo nuk do të thotë se do të ketë përgjigje të shpejta për shumë pyetje që mbeten edne pezull. BBC