Kanë nisur zgjedhjet parlamentare, por jo secili qytetarë mund të shfrytëzoj të drejtën e votës. Nga kjo e drejtë virusi Covid-19 i ka privuar pacientët e prekur që po trajtohen nëpër spitale. Nga Ministria e shëndetësisë bëjnë të ditur se në mbarë territorin e vendit ka gjithsej 401 qytetarë të infektuar ose të dyshuar me Covid-19 që trajtohen në kushte spitalore. Prej 401 pacientëve vetëm 6 janë fëmijë.
Nga KSHZ për TV21 thonë se Kodi zgjedhor nuk njeh dhe nuk lejon votimin e personave që ndodhen nëpër spitale ose ente të ndryshme shëndetësore. Edhe pse jemi në kushte të pandemisë nuk ka mundësi që personat e infektuar të votojnë nga spitalet.
“Kodi zgjedhor të drejtën e votës e lidh ngushtë me adresën e banimit dhe në rastin e paraqitjes së personave për të realizuar të drejtën e votës si personat e infektuar me Covid-19, detyrimisht duhet ta shkruajnë adresën se ku do të votojnë. Mund të jetë adresa e ndryshme nga adresa e dokumentit për identifikim personal mirëpo patjetër të jetë në suaza të komunës ku ky person banon sipas adresës në letërnjoftim”, u shpreh Admir Shabani nga KSHZ.
Përndryshe nuk do të mund të votojnë edhe personat që kanë rezultuar pozitiv me korona pas datës 8 korrik, atëherë kur përfundoi paraqitja e të infektuarve në KSHZ.