Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje në lidhje me pacientin që humbi jetën mëngjesin e sotëm në spitalin e Sanatoriumit, i cili ishte prekur nga COVID-19. Sipas MSH-se, personi ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID19.
60-vjeçari R.K nga Tirana ishte i shtruar në reanimacion prej dy javës në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (Diabet Melitus, Kardiopatia Hipertensive, Nefropatia Diabetike, Obezitet).
Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe bën thirrje të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të respektojnë rregullat e vendosura. Deri tani 28 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht punës së madhe të stafeve mjekësore të spitaleve COVID