Pacolli anulon pjesëmarrjen në një takim në Bosnje

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se ka anuluar pjesëmarrjen në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i cili do të mbahet të mërkurën në Bosnje dhe Hercegovinë.

Marketing

Pacolli tha se ka anuluar vizitën për shkak të kërcënimeve nga lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.

“Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikalë, si ky vetë dhe pasojat e këtyere kërcënimeve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian, që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve”, tha Pacolli në një shkrim në Facebook.
Dodik tha më herët se vizita e Pacollit në Banja Llukë nuk është e pranueshme.

“Republika Sërpska nuk e ka dhënë pëlqimin që Bosnja të njohë të ashtuquajturin ministër të Kosovës, të atij vendi të rremë, i cili nuk mund të mirëpritet në Republikën Sërpska”, tha Dodik.

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, tha të dielën se Pacolli do të shkojë në Banja Llukë me pëlqimin e Serbisë.
“Përfaqësuesi i së ashtuquajturës Kosovë do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe me pëlqimin e Beogradit”, tha Crnadak.
Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet kanë barriera në udhëtim dhe tregti.