Pacolli: Arbën Xhaferi ishte rilindas modern i kombit shqiptar

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kujtuar në 8-vjetorin e vdekjes Arbën Xhaferin për të cilin tha se ishte një rilindas modern i kombit shqiptar.

Marketing

“Ai ishte njeriu që kishte shndërruar në alternativa politike qeverisëse dy Lëvizje çlirimtare, atë të Kosovës dhe atë të Maqedonisë si këshilltar, si protagonist i këtyre shndërrimeve properëndimore të kombit shqiptar”, tha Pacolli.

Pacolli deklaroi se mësimet e Xhaferit janë ndriçuese për shumë prej krizave tona të sotme.

Postimi i plotë i Pacollit:

Sot kujtoj mikun tim Arbën Xhaferin, një njeri më të cilin me pasion diskutoja për të ardhmen e kombit tonë, një njeri që kishte vizion dhe mision integrimin ndër-shqiptar. Ai ishte një Rilindas modern i kombit shqiptar. Ai ishte njeriu që kishte shndërruar në alternativa politike qeverisëse dy Lëvizje çlirimtare, atë të Kosovës dhe atë të Maqedonisë si këshilltar, si protagonist i këtyre shndërrimeve properëndimore të kombit shqiptar. Ai i paraprinte proceseve emancipuese të kombit shqiptar me idetë e veta, me platformën e tij kombëtare, me kritikën e vet për dukuritë degraduese, me aksionin e vet politik. Mësimet e tij janë ndriçuese për shumë prej krizave tona të sotme, për ekstremizmin fetar, për marrëdhëniet me fqinjët, për orientimin properëndimor të kombit. Na mungon shumë në këto kohë Arbëni.