Pacolli: Çekia konfirmon mbështetjen për Kosovën

Republika Çeke, sot përmes ministrit të saj të Punëve të Jashtme Tomásh Petřícek ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe integrimin e saj në BE, NATO dhe organizata ndërkombëtare.

Marketing

Kjo është bërë e ditur nga shefi në detyrë i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se nuk do të ketë tërheqje të njohjes nga ana e Çekisë.

“Miqësia dhe partneriteti ynë është i fortë si guri. Ju bëj thirrje të gjithëve që të mos bien në grackën e Beogradit për të përhapur lajme që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Nuk ka asnjë çnjohje të Kosovës, vetëm rruga përpara për ta bërë Kosovën më të fortë dhe pjesë si e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Unë i jam mirënjohës homologut tim Ministrit të Jashtëm Tomáš Petřícek për mbështetjen e tij dhe të popullit dhe qeverisë së Republikës Çeke”, shkruan Pacolli, njofton Telegrafi.

Ndryshe, për shkak të deklaratave të presidentit të Çekisë Milosh Zeman, Prishtina zyrtare nuk ka pranuar të marrë pjesë në samitin e kryeministrave të Grupit Vishegrad dhe Ballkanit Perëndimor në Pragë.

Kjo u raportua nga agjencia çeke e lajmeve CTK, duke deklaruar se ishin deklaratat e Milosh Zeman se ai i donte serbët, por jo edhe Kosovën dhe se do të përpiqej ‘të shohë nëse Republika Çeke mund të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës’.

Pas deklarimeve të Zeman në Beograd, siç ka mësuar CTK, nuk ka asnjë të ftuar të konfirmuar në samitin e Pragës deri më tani. Prishtina ishte paraparë të përfaqësohej nga zëvendëskryeministri, por nikoqirët çekë po negociojnë që Prishtina të përfaqësohet të paktën ‘në një nivel’.

Reagimet në vetë Republikën Çeke u nxitën nga deklarata e presidentit Zeman dje në Beograd, dhe ministri i Jashtëm çek Tomash Petricek sot deshi ‘ta shndërrojë deklaratën në shaka’, duke thënë se presidenti ‘nuk e do Kosovën, pasi e ka mposhtur ekipin e futbollit çek, tifoz i të cilës është ai’.