Pacolli padit Haraqinë për shpifje dhe fyerje, ia kërkon qindra-mijëra euro dëmshpërblim

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) si dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka paditur ish-ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, nga i cili po kërkon 120 mijë euro kompensim dëmi për shpifje dhe fyerje.

Marketing

Përmes padisë së ushtruar në shkurt të 2016-ës, Pacolli pretendon se ish-ministri Haraqija ka përdorur shpifje dhe fyerje, ashtu që përmes rrjetit social Facebook ka përhapur fakte të pavërteta denigruese dhe ofendime publike në dëm të personalitetit të tani paditësit dhe familjes së tij.

Mbi këtë bazë, ai ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet i padituri që në emër të dëmit material dhe jo material t’ia kompensojë shumën prej 120 mijë euro dhe atë me kamatë ligjore prej 8% nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive si dhe shenzimet e procedurës.

Sipas padisë së ushtruar më 5 shkurt 2016, paditësi Behgjet Pacolli ka paditur Astrit Haraqijan, me pretendimin se i njëjti përmes rrjetit social Facebook më 4 shkurt 2016 ka përdorur fakte të pavërteta, denigruese dhe ka bërë ofendim publik duke përdorur shpifje dhe fyerje në dëm të tani paditësit dhe familjes së tij duke përdorur fjalë amorale, tendencioze, me qëllime të caktuara, ku më pas të njëjtat janë publikuar nga portali “Indeksonline”.

Tutje, në padi thuhet se i padituri në këto medie ka përdorur fjalën “O plaki M…”, ose në fjalinë tjetër se kinse në emër të parashtrimit të pyetjes “…qysh ja spjegon shqiptarëve e familjarëve që vetura e regjistruar në emër të Behgjet Pacollit, me të cilën është kry krimi ndaj Jusuf Gërvallës, mbahet si dëshmi në Policinë e Gjermanisë?…”, ku thuhet se i padituri këtë e ka bërë me qëllim të denigrimit të personalitetit të tani paditësit duke i shkaktuar atij nervozë, shqetësim, dhimbje dhe vuajtje psiqike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas padisë, më këto shpifje dhe fyerje i padituri ka ndikuar në uljen e imazhit të paditësit si ish-President i Republikës së Kosovës dhe si personalitet i njohur publik si në vend ashtu edhe në qarqet botërore, si afarist me renome botërore, gjë që mund të ndikojë edhe në uljen e biznesit të tij vendor dhe atë ndërkombëtar.

Po ashtu, sipas padisë tani paditësi Pacolli ka rezervuar të drejtën e precizimit të kërkesëpadisë pas marrjes së provës përmes ekspertizës së sociologjisë, psikiatrisë dhe asaj financiare.

Andaj, me këtë padi, po kërkon nga i padituri Haraqija kompensim dëmi në shumën prej 120 mijë euro.