Pacolli: Serbia po bën agresion diplomatik duke përdorë dialogun, BE t’ia tërheq vërejtjen

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i vlerëson si të papranueshme veprimet e Serbisë, duke i quajtur ato destruktive dhe dashakeqëse.

Marketing

MPJ vlerëson se shteti serb po përdorë standarde të dyfishta në marrëdhëniet me shtetet njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës.

“Kjo duke shfrytëzuar, keqpërdorur dhe manipuluar me dialogun për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve me qëllimin parësor për të bërë agresion diplomatik kundrejt sovranitetit dhe imazhit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë.

“Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon qëndrimin zyrtarë se Republika e Kosovës ka hyrë në dialog me shtetin fqinj – Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së, mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere me vullnetin e mirë dhe besimin e plotë për të përmirësuar marrëdhëniet në mes dy shteteve dhe popujve nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së Detyrueshme Ligjore, e cila do të duhej të përfundonte me njohjen reciproke në mes dy shteteve dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Për Republikën e Kosovës, thuhet se dialogu me vullnetin e mirë dhe në mirëbesim ka qenë dhe mbetet mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve, ndërtimit të besimit në mes dy shteteve dhe dy popujve, promovimit të paqes afatgjate, forcimit të stabilitetit rajonal dhe rritjes së prosperitetit për të gjitha popujt.

“Por ai nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet si instrument qëllimlig, mjet destruktiv dhe metodë manipuluese nga shteti fqinj, për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të shtetit të ri në marrëdhëniet me jashtë dhe paralelisht me këtë rrezikimin e interesave nacionale të shtetit dhe shtetasve të Kosovës”.

Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se veprime të tilla nga lidershipi i shtetit fqinj duket se kanë qëllime të lëkundin edhe disponimin pozitiv rajonal për t’i dhënë hapësirë veprimeve gjeopolitike, që kultivojnë shpërputhje me vullnetin rajonal për integrim në BE, NATO, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues të dialogut, ShBA-ve si mbështetës të plotë të tij dhe shteteve të tjera aleate dhe partnere, që të reagojnë menjëherë dhe t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj kundrejt sjelljeve dhe veprimeve të tilla, që janë në kundërshtim të plotë me zotimin e shprehur për bashkëpunim rajonal, përkushtimin për integrim në BE dhe vullnetin e shprehur deklarativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve”.