Udhëheqësit më të lartë të shtetit, nuk janë zyrtarët më të paguar në Kosovë.
Ata që kanë pagën më të lartë, deri ne 6 mijë euro, janë udhëheqësit e ndërmarrjeve publike.
Njeriu më i paguar në Kosovë vazhdon të jetë Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Adrian Zalli. Ai merr pagën mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli për një muaj paguhet 5 mijë e 213 euro ose 62 mijë e 567 euro në vit.
Pas Zallit, pagën më të lartë e ka kryeshefi ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr 4 mijë e 451 euro. Aktualisht këtë pagë po e merr ushtruesi i detyrës së menaxherit të telekomit, Zeqir Kiqina.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro ose 51 mijë euro pagë vjetore.
Pas guvernatorit renditet ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit Avni Jashari, i cili fiton afro 4 mijë euro në muaj ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro.
Fare keq nuk qëndron as Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro.
Edhe Bahri Nuredini, kryeshef në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës merr pagë mujore 2 mijë e 970 euro, kurse drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro.
Ndërkaq, krerët e shtetit të Kosovës kanë pagat më të ulëta krahasuar me udhëheqësit e këtyre agjencive dhe ndërmarrjeve.
Presidenti i Kosovës, merr pagën mujore 2 mijë e 800 euro, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli 2 mijë e 724 euro.
Kryetari i Qeverisë, Ramush Haradinaj aktualisht merr 1 mijë e 443 euro në muaj.
Më të ardhur në krye të Qeverisë ai tentoi të ia dyfishoj pagën vetës, kabinetit qeveritar dhe këshilltarëve e disa zyrtarëve të stafit të tij, me arsyetimin se është e pa kuptimtë që kryeministri të ketë rrogën 1300 euro duke marrë parasysh përgjegjësinë politike që ka.
Ai me anë të një vendimi në dhjetor të vitit 2017, kishte vendosur që nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, paga mujore e tij ishte vendosur të jetë 2 mijë e 950 euro. Ndërsa rroga për një ministër kishte arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.
Mirëpo, ky vendim ishte pezulluar pas konstatimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit se rritja e pagave është konflikt interesi, që do të duhej trajtuar sipas ligjit në fuqi.
Çështja tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk e ka dhënë mendimin e vetë nëse kjo rritje është e ligjshme apo jo.