‘Paga të ulëta, standardi i shtrenjtë’, për dikë shporta ushqimore vështirë mbushet

Në muajin dhjetor kur festohen festat e fundvitit, shtohen harxhimet për qytetarët, sidomos për ushqime dhe pije. Por sa kjo i godet qytetarët në xhepin e tyre?

Marketing

Pyetëm disa qytetarë se si ja dalin me harxhimet dhe çmimet e produkteve.

Disa prej tyre thonë se duhet të lënë diçka mangët për të blerë ushqime për festa.

“Për këtë kohë mendoj se kështu duhet të jenë çmimet, jemi në dhjetor. Është vështirë, por për ushqim patjetër që duhet të shpenzojmë, rrogat janë të ulëta. Tjetër gjë do të lësh mangët, por ushqim patjetër duhet të kesh” tha një qytetar.

“Çmimet janë të shtrenjta, standardi i lartë. Më shumë kamë harxhuar për portokaj. Çmimet janë të larta në krahasim me standardin në krahasim me të ardhurat, kjo është” tha një qytetar.

“Ata që kanë pension të mirë, për ato nuk ka probleme. A për ata që nuk kanë të holla gjithçka është e shtrenjtë” tha një qytetar.

Sipas Entit shtetëror për statistikë, paga mesatare e paguar si neto, në shtator 2018, ka qenë 24 355 denarë.

Ndryshe para pak ditëve në vendin tonë çmimi i bukës u rrit për 10 %. Arsyeja e kësaj ngritjeje të çmimit, sipas bukëpjekësve, është shtrenjtimi i grurit dhe të miellit, sepse gruri në vend është korrur vetëm 40 përqind.

Indeksi i shpenzimeve për jetesë në nëntor të vitit 2018, për dallim të nëntorit të vitit 2017, është vërejtur rritje prej 1.2%, ndërsa indeksi i çmimeve ka pësuar një rritje të vogël për 1.9%.