“Nuk ka lënë njeri në shpi pa punë. Ngado i rrjedhin çezmat e shtetit. Mangut pa punë veç nanë e babë, por edhe atyre u është gjet zgjidhja me trajtime e dallavere nga çezmat e shtetit. E tash mrrini koha që t’ia bëj hallin e punës nipit e mbesës”.
Shkruan: Naser Pajaziti, gazetar
Këtë muhabet e dëgjova në një nejë çarshie të Shkupit e si shkas u bë se pse Talat Xhaferri paska punësu djalin si prokuror!
I rodha krahët, çka t’i them këtij ‘idealisti’ opozitar në moshë, që as veten se kishte rregulluar, e që s’ka pasur fatin ta kërkoj çezmen e shtetit!
“E po pajtohem, unë jam budalla idealist, sepse jeta më iku duke ngelur opozitar, njëherë Xhaferist, pastaj Thaçist e së fundi me këto tjerat ‘hyn e dil isuf qamil’. Koha ime iku, djemtë më ikën në Gjermani, uroj t’ma bëjnë hallall”, ma ktheu idealisti i përbetuar.
Pra, ky është realiteti, çka me i ra në qafë Talatit, Nevzatit, Abazit…, sepse sikur ata janë shumë që s’lanë gjë mangut!
Ec e mos thuaj se s’ja dijnë rendin!
E po, ti s’bën dot asgjë dhe familjarët tuaj ikën gjithandej Evropës, sepse nuk i këndonin ‘nënës parti’!
Hajde pushtet hajde!
Po edhe fëmija, vllai, motra, kusheriri ynë ka të drejt të punojë, e jo me marr rrugën e mërgimit!